Këto ishin kërkesat e Isa Mustafës për koalicion me VV-në, që çuan në dështimin e marrëveshjes

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur marrëveshjen për formimin e Qeverisë, siç pretendonin ta bënin këtë të hënë.

E kanë lënë për një ditë tjetër që t’i vazhdojnë negociatat. Takimi mes Albin Kurtit e Isa Mustafës ka përfunduar pa epilog.

Albin Kurti i Vetëvendosjes megjithatë ka thënë se në negociata kanë pasur avancim.

“Por marrëveshje s’kemi. Sepse ka gjëra që nuk jemi marr vesh”, ka thënë Kurti në përfundim të takimit të sotëm.

E Mustafa, ka thënë se me Kurtin kanë pasur bisedë përmbajtjesore.

“Kemi pas pajtueshmëri sa i përket programit qeverisës. Sot nuk ka marrëveshje për koalicion por ka marrëveshje që të vazhdojmë të punojmë. Dallimet tona do ju tregojmë kur t’i përafrojmë”, ka thënë Mustafa.

Ballkani.info merr vesh se arsyeja e dështimit të marrëveshjes LVV-LDK është kërkesa e lartë, sipas VV-së, e Isa Mustafës dhe LDK-së.

“LDK-ja ka kërkuar t’i ketë nën drejtim gjashtë ministri. Përveç kësaj, Isa Mustafa sot i ka kërkuar Kurtit që partisë që ai e drejton t’i takojë edhe pozita e kryeparlamentarit dhe ajo e presidentit të vendit, pas përfundimit të mandatit nga Hashim Thaçi, në prillin e vitit 2021”, kanë thënë burime të Ballkani.info.

Ndërkohë, ende nuk dihet se kur do të jetë takimi i radhës ndërmjet Kurtit dhe Mustafës. /Ballkani.info/