Kështu reagoi kryeministri Kurti kur Kosova humbi rastin për gol

Kryeministri Albin Kurti e ka përcjellur mbrëmë ndeshjen mes Kosovës dhe Spanjës, nga stadiumi “Fadil Vokrri”.

Në media është publikuar edhe një video, ku shihet reagimi i tij kur Kosova e humbi një rast për gol.

Kosova është mposhtur nga Spanja, por ka treguar një nga ndeshjet më të bukura së fundmi.

Spanja arriti të fitonte me me rezultat të pastër 0:2, falë një goli të shënuar nga Fornals në minutën e 32-të të ndeshjes dhe një tjetri të Ferran Torres në minutën e 89-të.

Përveç dy golave, Spanja nuk pati asnjë rast tjetër serioz në portën e Kosovës.

Por, për dallim nga Spanja, Kosova pati disa raste të qindtë për qindta për të barazuar, e madje edhe për ta fituar komplet ndeshjen.

Në minutën e nëntë, Milot Rashica ishte ballë për ballë me portierin, por nuk arriti ta kalonte. Më pas, Elbasan Rashani me një goditje nga distance rrezikoi së tepërmi portën kundërshtare.

Me të filluar pjesa e dytë, Kosova pati një rast ideal, por Milot Rashica dështoi ta kalonte portierin. Të njëjtin rast e kishte Muriqi pak minuta më vonë, por goditi jashtë portës.

Kah fundi i ndeshjes, Kosova rrezikoi sërish seriozisht përmes Zymer Bytyqit, por goditjen e tij e priti Unai Simon.

Pas kësaj, erdhi goli i dytë i Spanjës, që demoralizoi totalisht Kosovën.

Përkundër rasteve, Kosova nuk arriti assesi ta gjente golin e barazimit dhe mposhtet pastër nga Spanja.

“La furia Roca” me këtë fitore merr pozitën e pare në tabelë me 13 pikë, kurse Kosova zbret e 4-ta me 4 pikë, pas fitores së Greqisë ndaj Suedisë.