Këshilltarja e re e Kurtit dikur deklaronte: Nëse ti vjen në pushtet do ta falësh tërë Kosovën

Shenaj Shala, e cila në janar pak para zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, aderoi në Lëvizjen Vetëvendosje, sot është emëruar si këshilltare politike dhe shefe e protokollit në kabinetin e kryeministrit Albin Kurti.

Këtë pozitë, Shala e mori, pavarësisht se ishte ndjerë e mashtruar në manifestimin protestues të LVV-së dhe partive tjera të vogla opozitare më 28 nëntor të vitit 2015, që mbahej për ta kundërshtuar asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Shalën e kishte zhgënjyer rëndësia që Albin Kurti atë ditë në fjalimin para protestuesve ia dha bashkimit klasik kombëtar të Kosovës me Shqipërinë.

Pak ditë pas protestës, ajo kishte shkruar një letër për Kurtin, ku ia shprehte gjithë mllefin e akumuluar të asaj dite. Duke besuar se një bashkim i tillë kombëtar ishte i keq për etnitë pakicë në Kosovë, Shenaj Shala, që ndjehet gjysmë shqiptare e gjysmë turke, konstatonte se Kurti do ta falte tërë Kosovën nëse do të vinte në pushtet,.

“Ne ate moment ti flisje…flisje kunder zajednices. Kunder nje bashkimi te komunave serbe. Mirpo flisje edhe per nje bashkim tjeter… I rendite te kqijat e zajednices, duke tregu se cka do te mbetet nga Kosova permes asaj harte te tmerrshme. Por cka do te mbetet nga Kosova, Albin, pas bashkimit kombetar? U mundova me e paraftyru harten e Kosoves atehere- por nuk shihja asgje! Ti flisje per ‘faljen’ e pjeseve te Kosoves nga ata ne pushtet, por poashtu (po i bjen qe) nese ti vjen ne pushtet do ta fal tere Kosoven”, kishte shkruar ajo.

Ajo thoshte se është pro bashkimit, por jo vetëm bashkimit të shqiptarëve, siç edhe frikësohej se e mendon Kurti bashkimin, shkruan Insajderi.

“Une dua bashkimin e shqiptareve, por jo vetem. Dua bashkim te shqiptareve, serbve, turqve, romeve, kroateve, egjiptianeve, te gjithe te tjereve te cilet jetojme ne kete vend! Dua qe udheheqesit e mi te mos bejne ndarje, dhe te mos perfaqesojne vetem interesat e njeres pale. Dua qe te keni nje vizion per te ardhme te perbashket, per te gjithe, pa marr parasysh cka jemi. Perfaqesim per nje jete te mire e te shendoshe, ne harmoni! Si prisni ju qe te keni perkrahjen e minoriteteve tjera nese ne njeren ane jeni kunder zajednices se komunave serbe, por nga ana tjeter synoni nje bashkim tjeter? E kujt eshte kjo Kosove? Dhe pse duhet ta falim, apo ta coptojme? Apo ndoshta paragjykoni e supozoni se ajo cka te gjithe deshirojne ne Kosove, dhe cka eshte me e mira per te gjithe, eshte bashkimi kombetar pa marr parasysh cilit komunitet i perkasin qytetaret e Kosoves?”, shkruante Shala.

Teksa kujtonte se si i kishin dalë lotë teksa kishte ecur përgjatë sheshit Nënë Tereza pas atij manifestimi protestues, Shenaj Shala shprehej se ishte ndarë “e zhgenjyer me faktin qe manifestimi per te cilin dola kunder coptimit te Kosoves u shnderrua ne dicka krejt tjeter nga ajo qe ishte thirrur”.

Këshilltarja politike dhe shefja e protokollit në kabinetin e kryeministrit Kurti, atëherë besonte se të gjithë ata që ishin me përkatësi edhe “diçka tjetër” përpos shqiptarë të Kosovës, nuk do të mund ta zgjedhin të ardhmen e tyre me Albin Kurtin në pushtet.

“Ne moment kuptova se, te gjithe ata si une, qe iu eshte imponu te zgjedhim se cka jemi (vetem njeren ane) ne te kaluaren, ndoshta nuk do t’mund ta kene as kete mundesi te zgjedhjes ne te ardhmen nese ju vini ne pushtet, pasiqe ju vetem se keni vendos se cka duhet te jemi, te gjithe!”, kishte shkruar ajo.

Gjërat si duket kanë ndryshuar rreth 5 vjet pas, pasi Shenaj Shala mori një post në kabinetin e Kurtit derisa para zgjedhjeve ky i fundit e prezantoi Shalën si përfaqësim të drejtë e të mirë në institucionet e shtetit.