Këshilltarja e Kurtit nuk i ndalë i twitt-at kundër ambasadës amerikane: Pse po ia mbani anën Serbisë

Këshilltarja e kryeministrit në detyrë, Fëllanza Podrimja, të mërkurën kishte reaguar ndaj Ambasadës Amerikane, pasi këta të fundit kishin kundërshtuar vendimin e Kurtit për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Podrimja kishte pyetur amerikanët se pse po ia mbajnë anën Serbisë dhe po e sabotojnë Kosovën, kur dihet që Beogradi zyrtar është aleat me Moskën dhe Pekinin.

Megjithatë këshilltarja e Kurtit nuk është mjaftuar vetëm me atë pyetje. Sot në një reagim të sërishëm në profilin e saj zyrtar në twitter, Pordrimja ka thënë se po pyet përsëri, se pse Beogradit nuk po i kërkohet që të ndalë fushatën e çnjohjeve dhe të heq barrierat jo-tarifore, kur dihet se ato e demtojnë Kosovën ekonomikisht dhe politikisht.

“Po pyes përsëri. Pse spo i kërkohet Beogradit që të ndalë fushatën e çnjohjeve apo të largojë barrierat jo-tarifore? Po e dëmtojnë Kosovën ekonomikisht dhe politikisht”, ka shkruar Podrimja.

Në reagimin e djeshëm të Ambasadës Amerikane është kundërshtuar hapur vendimi i Kurtit për vendosjen e masës së reciprocitetit. Një qëndrim të tillë e ka mbështetur edhe emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Grenell edhe më herët ka deklaruar se taksa duhet të hiqet pas asnjë kusht shtesë, pasi sipas tij vendime të tilla e dëmtojnë Kosovën.