Këshilltarja e Kurtit: Beogradit dhe kryetarit të Preshevës i pengon Qeveria e Kosovës

Këshilltarja politike për Preshevën e kryeministrit Albin Kurti, Ardita Sinani, ka bërë të ditur se sot para gjykatës do të paraqitet Gani Veseli, producenti i filmave “I pabesi” dhe “Heshtja vret”, të cilët ishin ndaluar që të shfaqen në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc.

Lidhur me këtë, Sinani ka hedhur akuza ndaj kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi si dhe ndaj Qeverisë së Serbisë.

“Paradoksi më i madh qëndron në atë se sikur pushtetit qendror në Beograd, e edhe pushtetit lokal në Preshevë, gjegjësisht kryetarit të Komunës së Preshevës iu përbën pengesë Qeveria e Republikës së Kosovës.” – ka shkruar ajo.

Shkrimi i saj i plotë:

Gjykata e Lartë e Vranjës i ka dërguar ftesë për në seancë gjyqësore të caktuar të mbahet sot, producentit të filmave “I pabesi” dhe “Heshtja vret”, Gani Veselit.

Më 10 qershor këto dy filma ishin planifikuar të shfaqeshin në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc, por që me një vendim arbitrar të Prokurorisë dhe policisë në Bujanoc ishte ndaluar shfaqja e tyre.

Në të njejtën ditë, edhe producenti i filmave, Gani Veseli edhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili ishin marrë në pyetje nga policia.

Vlen të ju rikujtoj, që paraprakisht, shfaqja e këtyre filmave ishte planifikuar të bëhej në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë.

Por, pa ndonjë arsye të bazuar, kryetari i Komunës së Preshevës kishte urdhëruar drejtorinë e Shtëpisë së Kulturës që mos të jap leje për shfaqjen e tyre.

Sigurisht opinioni tashmë e ka të qartë, se pushteti lokal në Preshevë deri te vendimi për moslejimin e shfaqjes së filmave kishte arritur për shkak të përplasjeve deri në fyerje ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës në çdo paraqitje publike të kryetarit të Komunës.

E pikërisht këtë, por dhe 77 projekte tjera, Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet Memorandumit të bashkëpunimit me Këshillin Kombëtar Shqiptar kishte vendosur që t’i përkrahë financiarisht, me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të artit, kulturës shqiptare në Luginë të Preshevës.

Paradoksi më i madh qëndron në atë se sikur pushtetit qendror në Beograd, e edhe pushtetit lokal në Preshevë, gjegjësisht kryetarit të Komunës së Preshevës iu përbën pengesë Qeveria e Republikës së Kosovës.

Le të mbetet në ndërgjegjen e pushtetit lokal, gjegjësisht kryetarit të Komunës së Preshevës, nëse i ka mbetur sado pak ndërgjegje, që në këtë linjë të jenë në të njejtin mentalitet me politikat shoviniste në Beograd.

Rastësisht apo jo, emrat e filmave dëshmojnë se sa është “I pabesë” pushteti në Beograd dhe se sa “Heshtja vret” kryetarit të Komunës së Preshevës!