Këshilltari i Thaçit tallet keq me deputetin Bajqinovci, ia kujton edhe emisionin aerobik të tij

Këshilltari politik i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, është tallur keq me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovcin, i cili ka punuar edhe si gazetar deri vonë.

Behramaj ia ka kujtuar atij edhe emisionin aerobik “Mefi System”, të cilin dikur e mbante, duke thënë se tash kur Lëvizja Vetëvendosje po funksionon me logjikën e tij, s’ka si mos të ketë konspiracion dhe gjimnastikë politike aty. “Sa herë që e lexoj këtë Mefail Bajqinovcin, më kujtohet njëfarë emisioni aerobik që e ka pasur, “Mefi System” më duket quhej.

Tash kur Lëvizja Vetëvendosje funksionon me logjikën e tij, s’ka si mos të ketë konspiracion dhe gjimnastikë politike aty. Më kujtohet edhe koha kur i gjithë Perëndimi ishte fokusuar në largimin e barrikadave në veri dhe Vetëvendosje, duke bërë avokatin e djallit, turrej dhe rrotullonte sa mundte kamionë në Merdare. Ato dhe shumë aksione u përputheshin plotësisht, dashje apo padashje, me interesat e Beogradit për të shkaktuar trazira dhe shtuar barrikada në veri.

Ndërsa, ky Mefail Bajqinovci, që i kishte fshirë edhe fotografitë e miqve të ngushtë kur kishte hyrë në Vetëvendosje dhe tash po na flet për keqpërdorime, për nevojat e emisionit të tij, jo atij aerobik, por një të mëvonshmi ku veç gazetar nuk ishte, më kujtohet që i keqpërdorte edhe të dhënat jopublike të Agjencisë Kundër Korrupsion, ku edhe zyrtarisht punonte, duke dashur t’i tregonte publikut sa shumë dinte.

Kishte konflikt interesi të vazhdueshëm, por fatkeqësisht askush nuk merrej me të! Tash mos vajtoni më, por punoni se Qeveri jeni dhe nuk mund t’iu shpëtojë Hashim Thaçi nga dështimet tuaja të përditshme, as nëse merreni orë e çast me të! As mos u frikësoni, se ka kush e mbron veriun.

Të gjithë e kanë kuptuar tashmë që këmba e Albin Kurtit kurrë nuk ka shkelë në veri, ndërsa pritjet ishin që as Molla e Kuqe nuk do ta ndalonte. Nëse veç ju ka hyrë frika në palcë, kujtoni pak ato pamjet e arrestimit të Gjuriqit, dostit të Sveçles. Edhe atë pamjen e lundrimit nëpër Ujman, se e bukur ishte. Plus edhe disa trena që ndaleshin dhe ktheheshin për Serbi. Jo për tjetër, por ju ndihmojnë ta kaloni më lehtë situatën dhe ta kuptoni që nuk ju vjen juve radha për ta mbrojtur veriun.

Thjesht kujdesuni që mos ta ngatërroni bacën Rifat, me bacën Adem. Dhe, pa i dhënë zor shumë, merruni lirisht me filozofi e aerobizëm!”, ka shkruar Behramaj.