Këshilltari i Thaçit publikon të dhënat rajonale: Shqipëria, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi e menaxhuan më mirë se Kosova pandeminë (Foto)

Këshilltari politik i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, ka publikuar një analizë krahasuese bazuar në numrin e popullsisë dhe të dhënat e sotme të shumicës së shteteve të rajonit rreth menaxhimit me pandeminë dhe rasteve të prekura.

Behramaj ka thënë se nëse marrim parasysh që e kemi popullsinë më moshën më të re në rajon dhe mbi 80 për qind e të infektuarve, sipas deklaratave zyrtare, janë vetëshëruar në kushte shtëpie, atëherë kjo Qeveri nuk është fare meritore, siç po krekoset, për menaxhimin e kësaj situate. “Me një analizë të thjeshtë krahasuar me numrin e popullsisë vërehet se Shqipëria, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi e kanë menaxhuar më mirë se Kosova situatën me pandeminë.

Por, nëse marrim parasysh që e kemi popullsinë më moshën më të re në rajon dhe mbi 80 për qind e të infektuarve, sipas deklaratave zyrtare, janë vetëshëruar në kushte shtëpie, atëherë kjo Qeveri nuk është fare meritore, siç po krekoset, për menaxhimin e kësaj situate.

Kjo Qeveri në fakt do të duhej të turpërohej, sepse gjatë gjithë kohës punën e saj e ka karakterizuar mungesa e theksuar e pajisjeve elementare mbrojtëse, mungesa e testeve dhe mungesa e pajisjeve mjekësore për Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe për Spitalet Rajonale.

Ndërsa, në anën tjetër, kontratat milionëshe njëburimore, pa procedura të prokurimit dhe pa transparencë publike, nuk i munguan asnjëherë.

Papërgjegjshëm kjo Qeveri i ka lënë me nga një javë në pritje qytetarët e infektuar për bërjen e një testi, që pas kontakteve të tyre me dhjetëra të tjerë, të njëjtit rezultonin pozitivë me COVID-19. Dhe, nëse marrim parasysh numrin e madh në mbi 80 për qind të të shëruarve në kushte shtëpie dhe numrin jashtëzakonisht të vogël të testimeve për kokë banori krahasuar me të gjitha shtetet e rajonit, atëherë potencialisht numri i të infektuarve mund të jetë dukshëm më i madh.

Edhe pse është për t’u turpëruar, nuk është për t’u çuditur nëse kjo Qeveri krenohet me 1000 teste të pranuara si donacion shtetëror nga Serbia dhe me asistencën e stafit mjekësor të Serbisë për luftimin e pandemisë në Kosovë.

Në anën tjetër, pavarësisht që Shqipëria dukshëm e ka menaxhuar më së miri këtë krizë dhe Qeveria jonë e kishte “gojëtarinë” plot patriotizëm dhe bashkim kombëtar, ajo nuk ndërmori asnjë iniciativë që të bashkëpunonte me autoritetet shqiptare, por partner kryesor në luftimin e pandemisë e bëri Serbinë.

Këto janë disa krahasime bazuar në numrin e popullsisë dhe të dhënat e mëngjesit të sotëm rreth situatës me pandeminë në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar Behramaj.