Këshilltari i Thaçit: Kuvendi me fjalime, sheshi me protesta, presidenca bëjnë foto nga dritaret

Derisa në Kuvendin e Kosovës palët po mbajnë fjalime pro dhe kundër një qeverie të drejtuar nga Avdullah Hoti, pak zyre me tutje, në objektin e njëjtë, zyrtarët e presidencës po përcjellin situatën edhe brenda edhe jashtë.

Këshilltari i Presidenti, Hashim Thaçi, Adil Behramaj ka postuar një fotografi nga dritarja e zyrave të presidencës.

Fotografia paraqet disa protestues në shesh, para Kuvendit, që po kundërshtojnë zgjedhjen e kësaj qeverie.

Beharamaj ka thënë se kjo nuk është as protestë dhe e ka quajtur numrin që po protestojnë si një zhgënjim me Vetëvendosje.

Ky ësstë postimi i plotë:

Sa është tkurrur fuqia e Lëvizjes Vetëvendosje shihet edhe nga numri i vogël i qytetarëve që dolën të protestojnë për ta. Me standardet e Kosovës kjo nuk është as protestë!

Zhgënjimi me Vetëvendosjen ishte i menjëhershëm. Dëshmuan jokompetencë, arrogancë, arbitraritet, mungesë të respektit për liritë individuale dhe mungesë të respektit për Republikën e Kosovës dhe Kushtetutën e saj, që thirret në konventat botërore që garantojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Me mosrespektimin e partnerëve në qeverisje, me mospërfilljen e procedurave dhe ligjeve të Kosovës, me kapjen e menjëhershme të shtetit dhe të të gjitha bordeve dhe me sulmet kundër institucioneve të pavarura, Vetëvendosje tregoi se nuk dëshiron të punojë për shtetin e Kosovës, por për përmbysjen e tij. Ajo u hap shumë me Serbinë dhe u mbyll tërësisht me Shqipërinë. Ky ishte bashkimi kombëtar që na e proklamonte!

Populli sërish tregoi urti e mençuri, duke ia kthyer shpinën mashtruesit!