Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga presidentja Vjosa Osmani dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla kishte udhëtuar të premten për në Mynih të Gjermanisë ku mori pjesë në Konferencën e Sigurisë.
Gjatë vizitës dy ditore, Kurti nuk ka mundur ta takojë ndonjë prej liderëve të shteteve të fuqishme.
Nga liderët, Kurti e takoi vetëm kryeministrin e ri maqedonas dhe atë të Bullgarisë.
Mirëpo, në përgjithësi takimet e Kurtit dhe liderëve tjerë shtetërorë nuk u cilësuan si të nivelit të lartë.
Lidhur me këtë ka reaguar këshilltari i kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj i cili ka publikuar një fotografi nga nëntori i vitit të kaluar të kryeministrit Kurti me zëvendëspresidenten e SHBA-së Kamala Harris.
“Tash a e kane fjalen per foto a per takim bilateral? Per foto me mire i bejme ne”, ka shkruar Zulfaj në llogarinë e tij në Facebook.
Ai thotë se jo vetëm Kurti por asnjë zyrtari i Ballkanit nuk është takuar me figurat e larta të Departamentit të Shtetit.
“Asnjë lider i rajonit nuk u takua me ta. Ballkani Perëndimor nuk ishte pikë kryesore e këtyre takimeve në Mynih. Ata kanë takuar kryesisht liderë të vendeve të G7 dhe shteteve baltike që janë shumë afër zonës së konfliktit”, tha ai në Rtv Dukagjini.
Fotografinë me zëvendëspresidenten e SHBA-së e kishte publikuar edhe Kurti para rreth tre muajve në llogarinë e tij në Facebook.
“Dje dhe sot po marr pjesë në Forumin e Parisit për Paqe. Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë e Francës, Brigitte Marie-Claude Macron, mbrëmë na pritën për një darkë solemne në Pallatin Élysée, ku bashkë me gruan time Ritën, patëm nderin dhe kënaqësinë të takohemi me Zëvendës Presidenten e ShBA-së, Znj. Kamala Harris, dhe bashkëshortin e saj, Douglas Emhoff”, kishte shkruar ai./Express







