Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jusuf Ulaj i ka fyer gazetarët që kanë raportuar se janë duke u përcjell dhe përgjuar nga agjentët e AKI-së. Ai këto i ka cilësuar paranoja.

Ulaj ka shokuar me deklaratën se këta persona mund të kenë probleme me shëndetin mendor.

“Nëse dikush në rrethin tuaj fillon të krijojë konspiracione, dyshime që përcjellet, që përgjohet, që pritet të persekutohet, që është nën monitorimin e vazhdueshëm të policisë, ushtrisë apo agjencioneve të intelegjencës keni parasysh së ai person mundet me pas probleme me shëndetin mendor. Është sëmundja e paranojës, që ne në psikiatri e quajmë çrregullim deluzional”, ka shkruar Ulaj në Facebook.

“Pra, krijohen mendime iracionale, mirë të sistematizuara që ngarkojnë personin, familjen, shoqërinë e shpesh dhe pa nevojë, ngarkojnë edhe gjykatat. Ndihma e psikiatrit në këto raste është e domosdoshme – sa më heret aq më mirë”, ka shkruar ai.

Gazetari Vehbi Kajtazi e ka cilësuar mjek pa etikë dhe të pacipë.

“Çfarë mjeku pa etikë, i pacipë, i poshtër, i keq, servil dhe legen”, ka shkruar Kajtazi në një reagim në Facebook.

Ndërkaq, gazetari Lirim Mehmetaj ka shkruar se Ulaj është mjeku i sëmur i Vetëvendosjes dhe keqpërdorues i pacientëve.

Sipas tij, kur pushteti nuk po i lidh gazetarët me Serbinë, ka kthyer metodë staliniste, duke i shpallur të çmendur.

“Shpesh thonë me shaka se mjeku merr simptomat e pacientit. Ja një rast kur një psikiatër – fatkeqësisht këshilltar i kryeministrit – shkruan jo si mjek, po si pacient me nevojë urgjente për trajtim”, ka shkruar Mehmetaj.

“Këta, kur nuk të lidhin dot me Serbi (armikun e jashtëm), i kthehen metodës tjetër staliniste, i shpallin kundërshtarët të çmendur”, ka shkruar ai.

Sipas Mehmetajt, “Ky Ulaj, si person afër kryeministrit, provon që një krizë të thellë institucionale dhe rrezikim të skajshëm të demokracisë, ta trajtojë si çrregullim individual”.

“Ti o i ashtuquajtur mjek je aq i pa kurrizor saqë për të mbajtur strehën e pushtetit e riprodhon gjuhë e tyre duke mohuar faktin e keqpërdorimit eklatant për qëllime të ndyta partiake”, ka shkruar gazetari.

“Popull i dashur, ky është veç një mjek hajn që vjedh pacientët e tij, duke u përshkruar ilaçe të caktuara në marrëveshje me kompani farmaceutike”, ka shkruar Mehmetaj.

Pra, i detyron pacientët të blejnë vetëm tableta të caktuara, për të marrë përqindjen e tij më pas nga kompania.

Ky është një mjek, sipas Mehmetajt, që kinse është anëtar në një parti të majtë, derisa punon në sektor privat dhe në ordinancën e tij mban çmime astronomike, duke e gjobitur popullatën më të varfër në botë.

“Më e keqja, ti je një shërbëtor i Afrim Blytës, për të cilin, sa të më dal pak kohë, do ta kuptoni i biri i cilit zyrtar të strukturës së sigurisë së famëkeqit Aleksandër Rankoviç ishte ai. Për këtë do të ofroj dëshmi me dokumentacion”, ka shkruar ai.

Gazetari Ilir Mirena e ka cilësuar “lëngaraq” të pushtetit të Kurtit.

“Ne fakt, langaraq i shefit te tij deluzional, Albin Kurtit, prej te cilit paguhet si keshilltar, nga taksat e qytetareve te ketij vendi.  Paska derdellite diçka per paranoja me percjellje, kili mili”, ka shkruar gazetari Mirena.