Këshilltari i Kurtit: E mundim koronavirusin, pastaj fitojmë zgjedhjet

Këshilltari i kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Elvis Hoxha po thotë se Kurti nuk i ka ndryshuar parimet e tij, dhe rezultati po shihet.

Ai përmes një shkrimi në Facebook, shkruan se u desh kohë, u desh qëndresë, por  që gjithçka po jep frutet e vet.

Ndërsa sipas tij, presidenti Hashim Thaçi nuk ka ndryshuar synimet e tij, përdor çdo taktikë për këtë, premtime të majme që nuk i realizon si dhe premtime që nuk i dëshiron askush.

“Fitojmë betejën ndaj koronavirusit, dhe pastaj me bindje të plotë fitojmë zgjedhjet” shkruan mes tjerash Hoxha në Facebook.

Shkrimi i plotë

Albin Kurti nuk i ka ndryshuar parimet e tij, dhe rezultati po shihet. U desh kohë, u desh qëndresë, por ja që gjithçka po jep frutet e vet.
Hashim Thaçi nuk ka ndryshuar synimet e tij, përdor çdo taktikë për këtë, premtime të majme që nuk i realizon si dhe premtime që nuk i dëshiron askush.
Pastaj ka analistë të cilët ndryshojnë pozicion. E këta quhen mercenarë. Mercenari nuk ka synim për parim, por vetëm synim për pare.
Pastaj është ndarja mes kolaboracionistit dhe tradhtarit. Kushdo që na thotë se nuk ekziston më lufta, nuk duhen më ushtritë dhe armët, se është anakronike të flasësh për tradhtarë dhe patetike të flasësh për shqiptarët e zhdukur nëpër territoret e Serbisë, përpiqet të na hedhë hi syve, ndërkohë që ne e dimë që ai e ka zgjedhur kategorinë ku merr pjesë, atë të tradhtarit.
Kushdo që e vë në absolut aleatin dhe në relativ shtetin e vet, ka kryer tashmë zgjedhjen e vet. Këtë mund ta konsiderojmë si pjesëmarrrës në një projekt për të cilin nuk i ka dhënë askush votë. Paradoksale është se ky tip njeriu votat i merr këtu, por shprehjen e ndërton sikur nuk jeton e as nuk punon për këtu, por për dikë.
Kushdo që akuzon dikë për antiamerikan, duhet të ketë kujdes, sepse je antiamerikan kur nuk respekton shtetin tënd, kur korrupton institucionet, kur nuk respekton ligjin. Ama nuk je antiamerikan kur përpiqesh të bindësh amerikanët në lidhje me drejtësinë e interesave të tu si shtet e si popull. Në këtë rast quhesh vetëm atdhetar.
Natyrisht që në lojë janë dhe oferta e pushtuesit, trashëgimtarët e pushtuesit. Edhe këtë grupim e kemi dhuratë nga kolaboracionistët dhe tradhtarët. Ky është grupimi që ekziston vetëm për t’i vendosur veto shtetit të Kosovës mu në gji të Kuvendit të saj. Quhet Lista Serbe.
Ca dinakë e ca injorantë, ca besëprerë e ca hundleshë, bashkarisht e bëjnë numrin 82 mu në Kuvend të Kosovës. Mercenarë apo analistët jashtë dhe brenda Kuvendit, tradhtarë e kolaboracionistë brenda dhe jashtë Kuvendit, nuk do të donin kurrë të dëgjonin se po përdorim për ta emra të tillë. Ngaqë kanë mësuar një formulë të re. Në fund të fundit emri i tyre modern është biznesmenë. Por në fakt ne e dijmë të tërë se nuk janë as më pak e as më shumë se pazarxhinj. Dhe pazari i tyre është shndërrimi në monedhë i përjetësisë së atdheut dhe amshimit të njerëzimit.
Pra, të gjithë të gjymtuarit në vullnet, në njohje, në qëllime, në përbërësin e tyre historik, këta dinakë të lindur pa virtytin e besës, këta injorantë të lindur pa idenë e përgjegjësisë, këta të mangët në virtytin e të jetuarit, këta dinakë ngaqë nuk kanë dhuntinë e besimit, të gjithë tok i bëjnë 82 vetë për një mocion votëbesimi ndaj një kryeministri apo qeverie, por jo ndaj qëllimit e drejtësisë, ndaj shpresës e besimit që po frymon kudo. Në Kuvendin e ardhshëm nuk i shihni më.
Fitojmë betejën ndaj koronavirusit, dhe pastaj me bindje të plotë fitojmë zgjedhjet.