Kryeministri Ramush Haradinaj në një paraqitje para mediave ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi se e ka orkestruar presionin diplomatik ndaj tij për heqjen e taksës.

Ai ka akuzuar edhe kolegët e tij të koalicionit, Veseli e Limaj, që kanë hequr shpejt dorë nga taksa, ndërsa nuk e ka kursyer as Isa Mustafën.

Haradinaj ka thënë se presioni për heqjen e taksës buron nga politika në Prishtinë.

“Krejt këto janë produkt i Prishtinës, i politikanëve të Prishtinës. Yryshi i tyre me shku e me iu thanë që rritne presionin se ka me u heq taksa, sepse kanë hyrë në ndonjë obligim me Vuçiqin, dhe po dojnë me na qit para aktit të kryer. Presidenti Thaçi, njerëzit rreth tij, dhe ata që kanë hek dorë kaq shpejt prej taksës, të gjithë e bojnë këtë me idenë që me u zbatu një projekt që mundet me qenë i dëmshëm”, ka thënë Haradinaj.

Ai tha se është i habitur se si ish-kryeministri Mustafa, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, e Fatmir Limaj e kanë pranuar kaq shpejt kushtin e Serbisë për heqje të taksës, raporton Ballkani.info.

“Unë habitna edhe në Isa Mustafën, edhe në Thaçin, Veselin, e Limajn. Pse kaq shpejt me i pranu kushtet e Serbisë, qysh na me shku me kushte në tavolinë. Unë kam thënë se jam për pezullim, por pasi të shohim marrëveshjen se çka përmban, dhe jemi të sigurt në këtë marrëveshje e pezullojmë. Por nuk e pezullojmë sa për turizëm”, ka shtuar Haradinaj.

Pas kësaj deklarate ka reaguar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Ai ka thënë se deklarata e sotme e Kryeministrit Haradinaj me të cilën, sipas tij, atë dhe LDK-në i fut në një kazan me Thaçin, Veselin e tjerër dhe në korelacion me Serbinë, është jokorrekte, e pasaktë dhe përngjan në fushatë.

“Edhe po deshi Kryeministri Haradinaj, nuk bëhem bashkë me Thaçin dhe Veselin. Nuk bëhem bashkë as me z. Haradinaj me mënyrën e të qeverisurit të tij!”, ka shkruar Mustafa.

E një përgjigje tërthorazi këtyre reagimeve ua ka jap këshilltari i Haradinajt, Besnik Tahiri.

“Prijmë, nuk shkojmë mbrapa”, ka shkruar ai, duke e postuar dhe një fotografi me Haradinajn.

Qeveria e Kosovës, respektivisht kryeministri Haradinaj, gjendet para një presioni të madh si brenda ashtu edhe jashtë, për suspendimin e taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake. /Ballkani.info/