Këshilltari i Bislimit që sulmoi zëdhënësin e BE-së, tash përmend edhe Borellin e Lajçakun: Refuzojnë ta dënojnë Serbinë

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili para disa ditësh akuzoi zëdhënësin e BE-së, Peter Stano se ka njohuri minimale për negociatat Kosovë-Serbi, tash ka bërë një reagim tjetër duke thënë se ndërmjetësuesit evropianë po refuzojnë të dënojnë Serbinë për shkeljet e marrëveshjes.

Kadiu përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se edhe Parlamenti Evropian bëri thirrje që Serbia ta heqë veton bllokuese që ndalon Kosovën të anëtarësohet në KiE e organizata të tjera.

“Ndërkohë zëdhënësi i BE-së, na thotë se “po mbajmë shënime”. Pse po heziton BE-ja ta dënojë Serbinë kur ekzistojnë fakte të pakontestueshme? Pse Parlamenti Evropian po dënon Serbinë për shkelje të marrëveshjes, e Borrell, Lajçak po refuzojnë ta bëjnë këtë?” – ka shkruar ai mes tjerash.

Ndërkohë, para disa ditësh zëdhënësi Stano deklaroi se ekipi menaxhues nuk ishte pjesë e asnjë prej delegacioneve – pra as atij serb, as atij kosovar.

“Ata nuk ishin pjesë as e delegacionit serb, as atij kosovar. Kjo është në linjë me marrëveshjet e dialogut, anëtarët e ekipit janë propozuar nga Serbia dhe janë emëruar nga Kosova” – tha ai.

Stano ka deklaruar edhe një herë se vendimi për të shkarkuar ekipin menaxhues “shkel letrën e marrëveshjeve të dialogut”.

“Prandaj, vendimi për ta shpërbërë ekipin menaxhues i shkel letrën dhe frymën e marrëveshjes së dialogut dhe për çdo vendim për Ekipin Menaxhues duhet të ketë pajtim në kornizën e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.” – u shpreh ai.