“Këshilltarët e jashtëm” të Besim Beqajt përfituan nga 200 mijë euro grante

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Qendra për Inovacion e Kosovës (ICK) kanë përfituar secila nga 200 mijë euro grant prej Ministrisë së Inovacionit, gjatë vitit 2018. Një vit më herët, drejtuesit e këtyre organizatave, Berat Rukiqi dhe Uranik Begu, ishin prezantuar publikisht si këshilltarë të jashtëm të Besim Beqajt.

Pak ditë pasi e mori detyrën e Ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj përmes një konference prezantoi me ‘pompozitet’ tre personat kryesorë që do ta këshillonin atë për punët e ministrisë.

Më 19 shtator 2017, ai prezantoi publikisht si këshilltarë të jashtëm të ministrisë, Berat Rukiqin, Drejtor aktual i Odës Ekonomike të Kosovës, Uranik Begun, Drejtor i ICK-së dhe Arianit Zekën nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

“Të tre janë të gatshëm për të bashkëpunuar me ministrinë dhe kam nderin të jap informatën se do të jenë këshilltarë të jashtëm të ministrisë. Së bashku do ta zhvillojmë ministrinë, por do ta zhvillojmë edhe ndërmarrësinë në drejtimin e asaj që inovacioni të jetë faktori kryesor”, kishte thënë Beqaj në konferencën ku shihej së bashku me Rukiqin, Begun e Zekën.

Në vitin pasues, më 2018, dy prej këshilltarëve të jashtëm të Beqajt, të prezantuar si të tillë nga vet ministri, së bashku përfituan nga Ministria e Inovacionit 400 mijë mijë euro grante me organizatat që i drejtojnë.

Në dokumentet e siguruara nga Buletini Ekonomik, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), që drejtohet nga Rukiqi përfitoi grant prej 200 mijë eurosh, në thirrjen publike të Ministrisë së Inovacionit për grantet e OJQ-ve. Të njëjtën shumë e përfitoi edhe Qendra për Inovacion e Kosovës (ICK) e drejtuar nga Uranik Begu.

“Qëllimi kryesor i projektit është rritja e punësimit në sektorin privat përmes promovimit dhe rritjes së eksportit në drejtim të vendeve të caktuara, përmes së cilit natyrshëm do të rrjedhë rritja e punësimit”, thuhet në arsyetimin e ministrisë për ndarjen e 200 mijë eurove për Odën Ekonomike të Kosovës.

Ndërkaq, për ndarjen e 200 mijë eurove për Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK), ministria thotë se do të bëhet “përmirësimi i lidhjeve ndërsektoriale dhe njerëzore, gjenerimin e një mbështetjeje më të madhe nga bartësit e funksioneve primare në promovimin e sipërmarrjes, inovacionit dhe zhvillimit të sektorit privat”.

Lidhjet e hershme të Beqajt me Rukiqin

Përveç bashkëpunimit në projekte për inovacion, lidhjet e ish-ministrit Besim Beqaj dhe kryetarit aktual të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqit datojnë që nga vitet kur Beqaj e drejtonte Odën Ekonomike të Kosovës. Beqaj e drejtoi OEK-un gjatë viteve 2005-2010, ndërsa gjatë kësaj kohe Rukiqi mbajti disa pozita në OEK, por më shumë është i njohur për pozitën si sekretar i kësaj organizate.

I afërt dhe bashkëpunues gjatë kohës si ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Beqaj është parë edhe me Uranik Begun, drejtuesin e ICK-së. Pas prezantimit të tij si këshilltar i jashtëm më 2017, ministri Beqaj në dhjetëra raste është parë në aktivitete të përbashkëta me kreun e ICK-së.

Përkundër prezantimit publik të Rukiqit e Begajt në pozitën e këshilltarëve të jashtëm, në Ministrinë e Inovacionit kanë thënë se nuk ka asnjë vendim mbi emërimin e tyre.

“Ju bëjmë me dije se Uranik Begu, Drejtor i ICK-së, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Arian Zeka Drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, asnjëherë nuk kanë qenë këshilltarë të ish-ministrit Besim Beqaj”, ka thënë Lulzim Ahmeti, Udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun.

Ahmeti nuk e ka mohuar se të njëjtit ishin prezantuar si këshilltarë të jashtëm, por ka thënë se emërimi formal nuk ka ndodhur “për shkak të mundësisë së konfliktit të interesit”.

Rukiqi e Begu mohojnë se ishin “këshilltarë me letra” të Beqajt

Në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, kreu i OEK-ut, Berat Rukiqi e ai i ICK-së, Uranik Begu kanë dhënë përgjigje pothuajse të ngjashme sa i përket raporteve të tyre me ish-ministrin Beqaj.

Rukiqi nuk e ka mohuar se si organizatë e kanë ndihmuar Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

“Ajo që është prezantuar në konferncë për shtyp është një keqkuptim i madh, pasi që ne kemi qenë të ftuar jo si individë, por si organizata të ndihmojmë ministrinë në ndërtimin e një ekosistemi të mirëfilltë për nxitje të inovacionit dhe ndërmarrësisë. Ky format këshillëdhënës ka qenë i formalizuar pastaj me një vendim për themelimin e Këshillit Kombëtar për Inovacion, i cili në një ndër mbledhjet e Qeverisë këtë vit është quajtur Koalicioni Dixhital, me shumë anëtarë nga bizneset dhe shoqëria civile”, ka thënë Rukiqi.

Ai ka shtuar se sa i përket projektit të fituar në këtë ministri, gjithçka ka qenë transparente dhe në një proces konkurrues.

Edhe drejtuesi i ICK-së, Uranik Begu, ka mohuar të ketë qenë formalisht këshilltar i ministrit Beqaj.

“Në funksionin që ushtroj, si Drejtor Ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo, organizatë joqeveritare dhe jo-profitabile, përfshirja ime si zyrtar apo këshilltar qeveritar do të ishte jashtë çdo logjike të funksionimit tonë si organizatë dhe për më tepër kundër politikave tona të brendshme të përcaktuara nga bordi dhe donatorët”, ka sqaruar Begu për Buletinin Ekonomik.

loading…