Këshilli Prokurorial: Akuzat e zv.ministrit Sallahu janë të pabaza dhe shpërfaqin mosnjohuri të thella profesionale

Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka reaguar Zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili sot në një konferencë për media tha se ekspertët mjekoligjor ishin kompensuar jashtëligjshëm nga KPK për 5 vite, duke marrë kështu rreth 1 milion euro.

Por, KPK të gjitha pretendimet e paraqitura nga Zëvendësministri i Drejtësisë i ka cilësuar si të pabaza që “shpërfaqin mosnjohuri të thella profesionale me tendencën e vetme për të denigruar dhe goditur institucionin e pavarur kushtetues, Këshillin Prokurorial të Kosovës”.

Gjithashtu, në reagimin e KPK-së thuhet se “nuk qëndron pretendimi se prokurorët i përzgjedhin ekspertët e mjekësisë ligjore, sepse të njëjtit i cakton Instituti i Mjekësisë Ligjore”.

Më poshtë lexoni reagimin e plotë të KPK-së:Reklamë

Konferenca e sotme, e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, është në vazhdën e përpjekjeve për të denigruar institucionin e pavarur kushtetues, në këtë rast Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Këshilli Prokurorial i Kosovës njofton opinionin publik se nuk ka bërë asnjëherë pagesa të ekspertëve mjekoligjorë në mënyrë të kundërligjshme, ashtu siç është thënë sot në një konferencë për media nga Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Me qëllim të sqarimit të opinionit publik, Këshilli Prokurorial kërkon nga organet ekzekutive, konkretisht nga Ministria e Drejtësisë, që për mosrealizimin e obligimeve të veta legjislative të mos ia hedhin fajin KPK-së.

Ligji në fuqi për Mjekësinë Ligjore, i vitit 2016, i sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë, ka paraparë në nenin 13, paragrafi 1, si vijon: “Nëpunësit e Institutit, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë marrin pjesë në ekzaminimet mjeko-ligjore për shkak të natyrës së punës kanë të drejtë në shtesë në të ardhura personale në pajtim me legjislacionin në fuqi”.

Gjithashtu në nenin 19, paragrafin 2 të këtij ligji, theksohet se “deri në nxjerrjen e akteve nënligjore sipas paragrafit 1 të këtij neni zbatohen aktet nënligjore të cilat janë në fuqi, nëse nuk janë në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji”.

Për hir të njoftimit të saktë dhe të drejtë të opinionit publik lidhur me pagesat e ekspertëve mjekoligjorë, ju njoftojmë se zbatohet Udhëzimi Administrativ i Qeverisë së Kosovës nr. 07/2013 për kompensimin e punës jashtë orarit dhe pjesëmarrjen në seanca gjyqësore të ekspertëve mjekoligjorë, ku në nenin 5 të tij obligohet Këshilli Gjyqësor dhe Prokurori i Shtetit që t’i bëjnë të gjitha pagesat për ekspertët e mjekësisë ligjore në bazë të tarifave të përcaktuara në udhëzim, të cilat ekzekutohen nga Ministria e Financave.

Edhe pse në konferencë u theksua se ”me hyrjen në fuqi të këtij Ligji ishin shfuqizuar të gjitha aktet nënligjore që ishin bazuar në Ligjin paraprak”, ky konstatim nuk qëndron dhe kjo shpërfaqë mosnjohuritë bazike, ligjore dhe profesionale të Zëvendësministrit të Drejtësisë, duke dezinformuar mediat dhe opinionin, ngase në Ligjin nr. 05/L-060 për Mjekësinë Ligjore të vitit 2016, me asnjë dispozitë nuk shfuqizohet asnjë akt nënligjor.

Pasi që Udhëzimi Administrativ nr. 07/2013 për kompensimin e punës jashtë orarit dhe pjesëmarrjen në seanca gjyqësore të ekspertëve mjekoligjorë nuk është shfuqizuar apo nuk është bërë plotësim-ndryshimi i të njëjtit, kompetencë kjo që tërësisht është e Qeverisë së Republikës së Kosovës, KPK-ja ka qenë e obliguar ligjërisht për realizimin e pagesave me aktet nënligjore në fuqi, me qëllim të vazhdimit të përmbushjes së mandatit kushtetues dhe ligjor të Prokurorit të Shtetit.

Për vëmendjen tuaj, Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka drejtuar kërkesë Ministrisë së Drejtësisë që ta rishikojë udhëzimin administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili e rregullon kompensimin e ekspertëve (bashkangjitur gjeni kërkesën e KPK-së drejtuar Ministrisë së Drejtësisë).

Po ashtu, nuk qëndron pretendimi se prokurorët i përzgjedhin ekspertët e mjekësisë ligjore, sepse të njëjtit i cakton Instituti i Mjekësisë Ligjore, i cili është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë (bashkangjitur gjeni formën e Vendimit për ekspertizën mjeko-ligjore).

Andaj, të gjitha pretendimet e paraqitura nga Zëvendësministri i Drejtësisë ndaj Këshillit Prokurorial janë të pabaza dhe shpërfaqin mosnjohuri të thella profesionale me tendencën e vetme për të denigruar dhe goditur institucionin e pavarur kushtetues, Këshillin Prokurorial të Kosovës.