Këshilli i Evropës anulon misionin vëzhgues në zgjedhjet e 30 qershorit

Këshilli i Evropës ka vendosur të anulojë misionin e tij vëzhgues për zgjedhjet e 30 qershorit “për shkak të pasigurisë lidhur me organizimin e tyre dhe rrezikut të mundshëm të vendosjes në zona të ndryshme”.

Përmes një e-maili dërguar zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, ata konfirmojnë mos praninë e tyre në Shqipëri për zgjedhjet vendore.

“Drejtuesit e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës ka vendosur që të mos dërgojë në Shqipëri një Delegacion për Vëzhgimin e Zgjedhjeve për shkak të pasigurive të vazhdueshme në lidhje me organizimin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri më 30 qershor dhe rreziqeve të mundshme për sigurinë në zona të ndryshme”.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare e cila ka si synim ruajtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit në Evropë. Themeluar në vitin 1949, Këshilli ka 47 vende anëtare dhe vepron me një buxhet vjetor rreth 500 milionë euro. Organizata dallon nga Këshilli Evropian, i cili përbëhet nga krerët e 28 shteteve pjesëtare të Bashkimit Evropian dhe që merret me drejtimin e përgjithshëm politik të Bashkimit Evropian.