Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parshtresa e ka hedhur si të pasafatshme ankesën e kandidatit për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili kërkoi të anulohen fletëvotimet e pranuara me postë pas datës 29.12.2025.
Saktësisht bëhet fjalë për fletëvotimet e pranuara më 02 dhe 05.01.2026 për zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28.12.2025.
Në një postim në facebook më 11.01.2026, Haxhiu ka shkruar se sipas ligjit, fletëvotimet me postë do duhej të pranoheshin më së largu deri më 29.12.2025 në ora 16:00.
“Megjithatë, KQZ ka pranuar dhe numëruar mbi 23 mijë vota të ardhura pas këtij afati ligjor. Kjo nuk është çështje teknike. Është shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit.”- ka shkruar Haxhiu, duke pretenduar se po rrezikohet integriteti i zgjedhjeve.
Ligji, ka sipas tij, nuk mund të ndryshohet me vendim administrativ dhe se afatet zgjedhore nuk janë rekomandime, po garanci për barazinë e votës dhe besueshmërinë e procesit.
“Kur numërohen vota jashtë afatit, procesi rihapet në mënyrë arbitrare dhe rezultati deformohet.”- ka thënë Haxhiu.
Haxhiu i cili e humbi ulësen në Kuvendin e Kosovës për shkak se PDK-ja e humbi një mandat gjatë numërimit të votave me postë, ka shkruar se paligjshmëria ka prodhuar pasoja.
Ai ka shkruar se kjo ndikoi në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve.
“Nuk kërkoj privilegj”- ka shkruar Haxhiu duke shtuar se kërkon zbatim të barabartë dhe strik të ligjit për të gjithë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përgjigje të ankesës së Haxhiut, ka thënë për PZAP se nxori vendimin me numër 01/3794-2025 për miratimin e afateve dhe veprimeve operacionale për dërgimin dhe pranimin e pakove me fletëvotime përmes postës.
“Duke u bazuar në rekomandimin e Sekretariatit dhe duke marrë parasysh afatet e përcaktuara me vendimin e KQZ-së të datës (mbi kërkesat dhe specifikimet për shërbimet postare për votimin jashtë Kosovës), është konstatuar se për shkak të dështimit të kontraktimit të operatorit ekonomik për shërbime postare, afatet e parashikuara fillimisht nuk ishin më të realizueshme”- thuhet mes tjerash në vendimin e PZAP-së, si përgjigje nga KQZ. /Kallxo.com







