shkarkim

Kërkohet shkarkimi i ministrave dhe zëvendësve të tyre me aktakuzë

“Faji i Korrupsionit”, kështu është quajtur ekspozita ku edhe është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve për tri vendet e para në garën e fotografive dhe videove #fajikorrupsionit, me rastin e shënimit të 9 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Përfaqësuesja e Ambasadës së Gjermanisë, Ana Beckie ka deklaruar se korrupsioni është dëmi më i madh i vendit, ku dëmton edhe zhvillimin.

Ndërsa, shefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, deklaroi se niveli i korrupsionit në Kosovë është shumë i lartë.

Ai pranoi se kjo dukuri është vështirë edhe të luftohet.

Havolli po ashtu ka thënë se gjatë tërë vitit kanë marrë shumë informacione pikërisht nga KDI për rastet e konfliktit të interesit.

Florent Spahija, zyrtar ligjor në KDI, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shkarkojë të gjithë ministrat dhe zëvendësministrat të cilët kanë aktakuza, ku po ashtu ka inkurajuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të raportojnë korrupsionin.

Në emër të KDI-së ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rikthehet në vëmendje rasti i kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit, për shkak që sipas tij, ka kohë që nuk ka asnjë reagim për këtë rast, si nga ana e tij, e po ashtu edhe të institucioneve të vendit.

Në fund, janë shpërblyer edhe fituesit, duke u ndarë janë tri çmimet e para për fotografitë dhe videot më të mira, në mesin e 115 aplikuesve.

Qytetarët që kanë aplikuar me anë të fotografisë është dashur të paraqesin pasojat e korrupsionit, ndërsa përmes videos të japin idetë e tyre se si të luftohet kjo dukuri.

Tërë kjo ka pasur për qëllim të rris vetëdijen e qytetarëve për efektet e dëmshme të korrupsionit në përditshmërinë e tyre dhe të promovojë qytetarinë aktive për të mbështetur luftën kundër korrupsionit.