Kërkohet riorganizimi diplomatik për shtetet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën

Instituti i Prishtinës për Studime Politike ka publikuar hulumtimin “Nyja e Pazgjidhur: Si duhet t’i qaset Kosova 5-shes mosnjohëse të BE-së”, me të cilin ka kërkuar riformulimin dhe riorganizimin diplomatik të Kosovës për një qasje më produktive ndaj këtyre vendeve mosnjohëse.

“Njohjet diplomatike janë njëra nga prioritetet kyçe të politikës së jashtme të Kosovës. Njohjet ndërkombëtare varen shumë nga strategjia diplomatike e politikës së jashtme. Ky shkrim argumenton se njohjet nga 5 vendet mosnjohëse janë të një rëndësie të veçantë duke marrë parasysh qëllimet gjeostrategjike të Kosovës si dhe aspiratat e saj në integrime Euro-Atlantike”, thuhet në njoftim.

“Për shkak të suksesit të limituar përgjatë dhjetë viteve të fundit është krijuar nevoja që Kosova të riformulojë dhe riorganizojë arsenalin e saj diplomatik për një qasje më produktive në raport me 5-shen mosnjohëse. Është e rëndësishme të potencohet se 5-shja mosnjohëse nuk është një bllok i unifikuar, por pesë shtete të ndryshme të cilat e shikojnë ose vlerësojne Kosovën nga prizmi i tyre nacional, secila veç e veç në mënyrë individuale”.

Njohja nga Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, sipas PIPS-it, potencialisht do të hapte rrugën drejt një integrimi më të shpejtë drejtë BE-së. Megjithatë, për të kuptuar se pse këto shtete vazhdojnë të mos e njohin republikën e Kosovës, është tejet e rënëdsishme të kuptohet arsyeja prapa këtij qëndrimi.

“Në thelb, ekzistojnë dy argumente kryesore për mosnjohjen pavarësinë së Kosovës nga 5-shja mosnjohëse e BE-së: mosrespektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe frika nga grupet separatiste”, thuhet nga PIPS.