Paraburgim

Kërkohet paraburgim për shoferin që goditi me veturë dy fëmijë në Pejë – i njëjti kishte qenë nën ndikim të alkoolit

Prokuroria Themelore e Pejës, ka parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj shoferit i cili të dielën goditi me veturë dy fëmijë në qytetin e Pejës.

Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore, Shkodran Nikçi.

Nikçi ka bërë të ditur gjithashtu se shoferi ka qenë nën ndikimin e alkoolit, dhe se i njëjti është recidivist i disa veprave penale.

“Është dorëzuar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. I njëjti ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe është recidivist i disa veprave penale”, ka thënë Nikçi për Telegrafin.

Ndryshe njëri nga fëmijët e aksidentuar i moshës 8 vjeç, aktualisht është duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv në QKUK, dhe e i njëjti ka pësuar lëndime të rënda.

Drejtori i Klinikës Intensive, Shaqir Uka në një prononcim për Telegrafin ka treguar se pacienti i lindur në vitin 2016, aktualisht është në gjendje stabile por me lëndime serioze.

“Gjendja e pacientit aktualisht është stabile por me lëndime serioze. Tani jemi në fazën e ekzaminimeve dhe në fazën ku jemi duke u mundur ta stabilizojmë gjendjen e përgjithshme të tij”, ka thënë Uka.

Ai ka treguar se pacienti në fjalë ka lëndime në kokë, mushkëri dhe ne ekstremitetet e tjera.

“Lëndimet janë të rënda, ka gjakderdhje në regjionin e kokës, ndrydhje në mushkëri dhe lëndime në ekstremitetet e tjera”, ka deklaruar Uka.