Kërkohet paraburgim për personin që dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale brenda familjes në Obiliq

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për personin i cili dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale brenda familjes.

Lidhur me këtë rast, zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj ka thënë për Telegrafin se personi i ndaluar ndaj të cilit është kërkuar masa e paraburgimit është i moshës madhore.

“Referuar pyetjeve tuaja, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një person i dyshuar (madhor), për shkak të veprës penale “Marrëdhëniet seksuale brenda familjes”, sipas KPRK-së dhe ndaj të njëjtit është ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, ka thënë Ulaj.

Ajo ka shtuar se kjo çështje ndërlidhet me rastin e raportuar më 25 korrik 2022, në komunën e Obiliqit, mirëpo për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk mund të japim informata të tjera, dhe se rasti vazhdon të jetë në hetime.

Ditë më parë policia njoftoi se kishte arrestuar një person në fshatin Plemetin në Obiliq.

“Marrëdhënie seksuale brenda familjes. Fsh. Plemetin, Obiliq 25.07.2022-06:00. Lidhur me rastin, me 14.10.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull dhe i njëjti pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhej në raportin e policisë.