Kërkohet mbështetje financiare nga Qeveria për personat që mbetën pa punë

Shumë masa të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike për vitin 2021 kanë mbetur pa u zbatuar.

Një nga masat që ende nuk ka gjetur zbatim është edhe mbështetja financiare për personat që kanë humbur vendet e punës si pasojë e pandemisë.

Për implementimin e kësaj mase, Qeveria Hoti ka ndarë 10 milionë euro, por shpërndarja e tyre ka mbetur peng i kritereve të cilat ende nuk janë caktuar.

Sipas ekonomistit, Muhamet Mustafa, çështja e personave që kanë mbetur pa punë si pasojë e pandemisë, duhet të merret me prioritet nga Qeveria në rast të një pakoje të re financiare.

“Sigurisht se kjo është një çështje që duhet të merret në konsiderim. Punëtorët që humbin punën dhe të cilët nuk kanë një mbështetje tjetër ishte dashtë të jenë njëri nga elementet e programit. Mjetet jo të shumta që i kemi në disponim nga fondet publike dhe nga buxheti duhet t’i koncentrojmë në vendet së pari ku janë nevojat me të mëdha dhe së dyti ku janë efektet më të mëdha”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se përveç që nuk janë ndihmuar personat që kanë mbetur pa punë, mbështetje nuk u është dhënë as atyre që vazhdojnë ta mbajnë punën, ndonëse në rrethana të vështira.

“Ne thërrasim që Qeveria ta kontrollojë se ku kanë shkuar mjetet për pakon emergjente dhe për pakon e rimëkëmbjes ekonomike të cilat kanë qenë të dedikuara për punëtorë. Mjafton që këto mjete të kthehen në llogaritë e punëtorëve dhe mendoj që do të jetë edhe një mundësi financiare për ndihmesë të këtyre punëtorëve”, ka thënë Azemi.

Me Ligjin për rimëkëmbjen ishte paraparë që punëtorët të cilët janë larguar apo pezulluar nga puna që nga 29 marsi deri më 30 dhjetor të vitit të kaluar, t’i marrin nga 300 euro për tre muaj.

Koha ka provuar të marrë përgjigje nga Qeveria aktuale lidhur me prioritetet në implementimin e kësaj mase, por ata nuk janë deklaruar.