Kërkohet ligj për Referendum

Komisioni për Legjislacion ka organizuar një dëgjim publik për Projektligjin për Referendum, ku u tha se ai është i nevojshëm, për arsye se duhet të pyeten qytetarët për disa çështje.

Mirëpo u kërkua që të ketë kujdes dhe të ndalohet që për rendin kushtetues dhe territorin të ketë referendum.Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu u shpreh se deri më tani qytetarëve të Kosovës iu është pamundësuar të pyeten për shumë çështje të rëndësishme, dhe për këtë sipas saj projektligji për referendum është shumë i rëndësishëm.

“Prandaj në këtë kuptim projektligji për referendum është i rëndësishëm, mirëpo padyshim që ka hapësira për ndërhyrje”, tha deputetja Haxhiu. Mbështetje këtij Projektligji i dha dhe deputeti i Nismës Bilall Sherifi, i cili tha se pavarësisht kësaj, këtë duhet të përshtatim, ashtu siç është Kushtetuta.

Pjesë të këtij dëgjimi publik ishin dhe përfaqësues të zyrës së presidentit dhe kryeministrit.

Besim Kajtazi nga Zyra e Presidencë tha se ky draft aktual duhet të riformulohet në tërësi.

Kërkesë të njëjtë kishte dhe Mentor Borovci nga Zyra e Kryeministrit. Kurse nga organizatat e shoqërisë civile, Përparim Kryeziu u shpreh se projektligji për referendum në momentin që është duke diskutuar ka tendencë për shfrytëzime politike.

“Duhet të shtohet në mënyrë specifike që për çështje të territorit të ndalohet në referendume dhe gjithashtu për rendin kushtetues”, tha Kryeziu.

Saktësi më të madhe në këtë projektligj kërkoi dhe Enis Halimi nga KQZ. “Projektligjit i duhet një disa detaje që mos të mundësojë paqartësi në procesin e referendumit mandej”, tha Halimi.