Vepra penale

Kërkohet dënim më i lartë për Granit Elshanin për rastin e vrasjes në “City Club”

Dënim më të lartë se sa që i ishte shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë, po kërkon Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për të akuzuarin për vrasje dhe disa vepra tjera penale, Granit Elshani.

Në anën tjetër, lirimin nga akuza të Elshanit apo kthimin e rastit në rigjykim, po kërkojnë për të mbrojturin e tyre, avokatët Ndrec Dodaj dhe Bujar Bërdynaj.

Këto ankesa të palëve, të ushtruara kundër aktgjykimit të shkallës së parë, u shqyrtuan të martën nga një kolegj i Gjykatës së Apelit.

Gjykata Themelore në Pejë, në maj të këtij viti, i kishte shqiptuar 25 vjet burgim, Granit Elshanit, i cili akuzohej për vrasje dhe tri tentim vrasje, për ngjarjen që kishte ndodhur në natën e 2 janarit të vitit 2010, në diskotekën “City Club”, në Pejë.

Elshani, ishte shpallur fajtor për veprat penale “vrasje e rëndë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “mbajte në pronësi, posedim dhe përdorim të paautorizuar të armëve”.

Po ashtu, gjykata ndaj të akuzuarit Elshani, kishte shqiptuar edhe dënimin plotësues, konfiskimin e armës së zjarrit, pistoletën “Sig Sauer”, ndërsa të njëjtin e kishte detyruar që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, të paguajë shumën prej 500 euro, kurse në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 100 euro, shkruan Betimi për Drejtësi.

Mirëpo, me dënimin prej 25 vjetëve burg për Elshanin, nuk është ndarë e kënaqur PSKR-ja, e cila përmes ankesës, i ka propozuar Apelit që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim edhe më i lartë.
Kjo, pasi sipas prokurorisë, i akuzuari Elshani, me veprimet e tij, kishte rrezikuar jetën e rreth 1000 personave të cilët gjendeshin natën kritike në diskotekën në fjalë.
Sipas prokurorisë, po të vlerësohej drejt shkalla e përgjegjësisë së të akuzuarit, atëherë të njëjtit do duhej t’i shqiptohej një dënim më i rëndë se sa dënimi që ishte shqiptuar nga ana e gjykatës së shkallës së parë.

Kurse, kthimi i rastit në rigjykim apo lirimi nga akuzat për të akuzuarin Elshani, janë dy nga propozimet që mbrojtja e Elshanit i ka paraqitur në ankesën e saj drejtuar gjykatës së shkallës së dytë.

Siç pretendon mbrojtja në ankesën e saj, njëri nga anëtarët e trupit gjykues që e kishte gjykuar lëndën në shkallën e parë, përkatësisht gjykatësi, Ahmet Rexha, është dashur të përjashtohet nga trupi gjykues, pasi që, siç pretendon mbrojtja, i njëjti ka lidhje në vijë anësore me të dëmtuarin Xhevdet Kelmendi.

Po ashtu, një shkelje tjetër që mbrojtja e ka theksuar në ankesën e saj, ka të bëj me bastisjet që kishte bërë policia në natën kritike, e cila sipas mbrojtjes, ishte bërë pa ndonjë urdhër me shkrim dhe në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Tutje, sipas pretendimeve të mbrojtjes, aktgjykimi i shkallës së parë është në kundërshtim me deklarimet e të akuzuarit dhe atë të dëshmitarëve.

Në ankesën e mbrojtjes, gjithashtu theksohet fakti se, shkalla e parë ka theksuar në vendimin e saj, se vrasja e Besart Shabit ishte bërë për qëllime hakmarrëse, kurse, siç pretendon mbrojtja, në po të njëjtin aktgjykim thuhet se problemet në fjalë kanë qenë mes familjeve Elshani dhe Kelmendi e jo me viktimën Shabi.

“Gjendja faktike nuk është vërtetu në mënyrë të drejtë. Provat nuk tregojnë që i akuzuari ka qenë në vendngjarje. Në vendngjarjeje janë gjetur gëzhoja nga tri armë të ndryshme. Prova kryesore në këtë çështje janë dëshmitarët që kanë qenë në vendngjarje. Të gjithë pohojnë se ka qenë një person që ka qëlluar me dy armë, këta dëshmitarë pohojnë si ka qenë veshja dhe lëvizjet e personit në fjalë dhe këto karakteristika ndryshojnë dukshëm me të akuzuarin. Të gjithë dëshmitarët deklarojnë se nuk e njohin personin që ka shtënë. Asnjë nga dëshmitarët nuk e ka identifikua të akuzuarin”, thuhet ndër të tjera në ankesën e mbrojtjes të cilën e raportoj, gjykatësja raportuese për këtë rast, Hava Haliti.

Në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, mbrojtësi i Elshanit, avokati Ndrec Dodaj, tha se i vjen keq për propozimin që ka dhënë prokuroria, pasi siç tha ai, është i bindur se të njëjtit as nuk i kanë lexuar fare shkresat e lëndës.

Tutje, Dodaj tha se në natën kritike, përpos bastisjes që i ishte bërë të akuzuarit, ishte bastisur po ashtu edhe shtëpia e Xhevdet Kelmendit dhe e Tahir Hysenit, mirëpo, siç tha Dodaj, në bastisjen që i ishte bërë të akuzuarit nuk ishin bërë fotografi siç kishte ndodhur në bastisjet tjera dhe pikërisht këtu, tha Dodaj, lindin edhe dyshimet për manipulimet e mundshme në këtë rast.
Gjithashtu, Dodaj tha se i mbrojturi i tij ishte dorëzuar vullnetarisht në polici pasi që e kishte ndjerë veten të pafajshëm.

“Si nuk merren shenjat e gishtave ose flokët. Krejt këto janë marre pas 5-6 vjetëve Këto prova fare nuk na janë ofruar nga prokuroria. Këto janë ekzaminu edhe nuk ka dal asgjë. Pastaj, me një anë thuhet se ka pas letër rreshtim për të akuzuarin, në anën tjetër ky është dorëzu vet. Realiteti është ndryshe. Policët e kanë ditë një muaj para se me ardh që ky ka me ardh. Ky është dorëzu vet se e ka ditë që s’është fajtor”, tha Dodaj në fjalën e tij.

Në fund të fjalës së tij, Dodaj tha se kjo aktakuzë është ngritur nga një prokuror ndërkombëtar, i cili sipas Dodës nuk i ka ditur natyrën e problemeve tona.

“Akuza është ngritur nga një prokuror që se ka ditë natyrën e problemeve tona. Në kohën kur kanë filluar probleme mes këtyre familjeve, ky (Granit Elshani), ka qenë 12-13 vjet. Çdo qytetar e dinë kush-kon e ka vra, edhe policia e dinë. Dyshoj se krejt këto shkelje janë bërë, se gjyqtari e dinë që diçka nuk është në rregull në këtë rast dhe pasi Apeli ti evidentojë këto shkelje, lënda pastaj të kthehet në rigjykim”, përfundoj fjalën e tij avokati Dodaj.

Lidhur me ankesat e palëve, u deklarua edhe kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, i cili tha se qëndron prapa parashtresës që i kanë drejtuar gjykatës së shkallës së dytë, ku të njëjtës, i kanë propozuar që të aprovojë ankesën e PSRK-së kurse të refuzojë ankesën e mbrojtjes.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më 2 janar të viti 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë i akuzuari Granit Elshani, kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Sipas prokurorit, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor Hasan Buqaj.