Kërkimfalja e Hillit për bombardimin e Serbisë: Çka në të vërtetë tha ambasadori amerikan?

Kemi dëgjuar e po dëgjojmë shumë reagime nga të gjitha anët për një deklaratë të ambasadorit amerikan Christopher Hill në lidhje me bombardimin e Serbisë. Çka tha në të vërtetë ai?

Ambasadori amerikan në Beograd, është parë gjerësisht si një ndër miqtë më të mëdhenj të Republikës së Kosovës. Kjo ishte edhe arsyeja pse pati kaq shumë bujë deklarata e tij për bombardimin e Serbisë. Por, si është e formuluar ajo deklaratë dhe çka e parapriu?

Hill para deklaratës së famshme e pati një intervistë me Telegrafin serb, dhe u pyet për një varg çështjesh të ndjeshme, përfshirë edhe bombardimet.

Ai foli për to pasi u pyet në lidhje me imazhin e Amerikës në Serbi. Por, le ta lexojmë fillimisht shtrimin e pyetjes.

“Serbia i mbijetoi bomardimit, dhe serbët kanë shumë simpati me ukrainasit. Vendi ynë e dënoi agresionin rus ndaj Ukrainës. A mendoni se bombardimet e vitit 1999 ndikuan në imazhin e keq të Amerikës mes serbëve?”

Në vazhdim, të lexojmë edhe një herë atë që tha ambasadori Hill për këtë çështje.

“Më duhet të ju kujtoj se kjo ndodhi 23 vjet më parë. Është e njëjta sikur më 1968 të flisnim për ngjarjet e vitit 1945. Personalisht më vjen shumë keq që kjo ndodhi në historinë tonë, nuk jam i lumtur për këtë gjë”, tha Hill fillimisht.

Më pas, ai kërkoi që të ecej përpara dhe të mësohej nga e kaluara.

“Por vjen një kohë kur njerëzit duhet t’i kthehen të ardhmes, të ecin para. Të provojnë e të mësojnë nga e kaluara, por jo të jenë pengjet apo skllavet e së kaluar. Unë erdha këtu pas 23 vitesh, me pritjen se mund të arrijmë shumë gjëra bashkë. Ndajmë disa prej të njëjtave vlera dhe pikëpamje për botën, dhe unë mendoj se duhet të fokusohemi te kjo gjë, dhe jo te diçka që ndodhi para 23 vitesh.” – tha ambasadori amerikan.

Hill më pas tregoi për rolin që e kishte në Rambuje kur u pyet nëse Serbia mund të kishte bërë diçka për të shmangur bombardimet.

“Roli im në Rambuje ishte që të provoja për t’ia kthyer Kosovës shkallën e autonomisë që e kishte pasur në të kaluarën. Rambujeja nuk u mor me pavarësinë e Kosovës, kjo erdhi shumë më vonë dhe nuk isha pjesëmarrës në atë çështje. Në Rambuje, ishte e rëndësishme të gjenim pikat e përbashkëta, diçka që mund t’i afronte dy palët me njëra-tjetrën dhe të shihnim se çfarë lloj marrëdhëniesh mund të ndërtonin me njëra-tjetrën. Se çka ndodhi për ta parandaluar (bombardimin), e kam opinionin tim, por do ta lija këtë gjë te historianët sepse për mua ka më shumë rëndësi se çka do të bëhet në të ardhmen.”

Ambasadori Hill bëri deklaratën e tij të famshme në Twitter në përvjetorin e 24 të bombardimeve të NATO-s.

“Ia kam dedikuar jetën diplomacisë – gjetjes së zgjidhjeve diplomatike për problemet në dukje të pazgjidhshme. Gjatë karrierës time, kam mësuar që nganjëherë diplomacia dështon. Kur dështon, rezultatet mund të jenë tragjike. Ofroj ngushëllimet e mia personale për familjet e atyre që kanë humbur jetën në luftërat e viteve ‘1990, përfshirë ata që u vranë nga fushata e bombardimeve ajrore të NATO-s. E di se populli serb kurrë s’do ta harroj atë kohë të tmerrshme, dhe as që duhet ta harrojnë”, tha Hill.

A po ndryshon qëndrimi i ShBA-ve në lidhje me bombardimin e Serbisë?

Duhet thënë se Hill nuk është zyrtari i vetëm amerikan që ka shprehur qëndrim keqardhës për bombardimet e NATO-s. Po ashtu, vlen të theksohet që e ka përdorur fjalën “personale” në të dyja rastet kur ka folur mbi çështjen. Por, natyrisht ka vend sa të duash për shqetësim.