Armë

Kërkesa për raketat “Javelin”, pajisja e policisë me armë të gjata VHS-2 dhe arrestimi i disa zyrtarëve të ATK – lajmet që shënuan javën

Lajmet në javën që po lëmë pas në fokus kanë pasur çështjen e sigurisë dhe blerjes së armatimit. Kosova i ka bërë kërkesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e raketave “Javelin”, gjersa të premten u bë e ditur se Policia e Kosovës është pajisur me armë të gjata.

Ndërkaq, po gjatë javës që po lëmë pas është zhvilluar një aksion i Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore ku janë arrestuar 12 zyrtarë të ATK-së, një pronari të biznesit për mashtrimi me fatura fiktive.

Kërkesa e Kosovës për blerjen e 246 raketave “Javelin” nga SHBA-të, konfirmimi i DASH-it dhe deklaratat – si funksionojnë raketat anti-tank?

Të enjten u bë e ditur se Kosova ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës blerjen e raketave “Javelin”, ku pas kësaj pritet edhe aprovimi nga Kongresi amerikan.

Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

Bëhet fjalë për 246 raketa të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri.

DASH-i tha se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.

“Departamenti Amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes ës Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha DASH-i.

Shitja e këtyre armëve, sipas DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

SHBA-ja, sipas DASH-it, vazhdon të mbështesë Kosovën në transformimin “transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”.

Ndërkaq, nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës thanë se blerja e raketave Javelin është paraparë në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Por çfarë janë raktetat anti-tank “Javelin”  dhe si funksionojnë?

Sistemi i raketave luftarake Javelin është një sistem raketash taktik i lëvizshëm nga njeriu, me rreze të mesme veprimi që i siguron Ushtrisë Amerikane dhe Trupave Detare efekte precize të zjarrit të drejtpërdrejtë për të mposhtur tanket kryesore të betejës dhe automjetet e tjera të blinduara gjithashtu.

Ky sistem raketor drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit. Ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë pas lëshimit dhe mund ta ngarkojnë për gjuajtjen e radhës. Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë (540 km/h) pasi të lëshohet.

Një raketë Javelin kushton rreth 180 mijë dollarë.

Ushtria amerikane ka prodhuar afro 38 mijë raketa të tilla deri tash. Rreth 20 deri në 25 mijë prej tyre janë përdorur në luftëra apo aksione të ndryshme – pjesa tjetër është përdorur për testime.

Policët e Kosovës pajiset me armë të gjata – pushkën sulmuese VHS-2, e cila prodhohet në Kroaci

Policët e Kosovës nga e premtja do të patrullojnë me armë të gjata, ka bërë të ditur të premten ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai ka deklaruar se blerja e këtyre armëve do të rrisë efikasitetin në luftimin e krimit.

“Nga sot të gjitha patrullat e Policisë së Kosovës do të pajisen me armë të gjata. Me blerjen e këtyre armëve për të gjitha patrullat policore anekënd Republikës së Kosovës rritet efikasiteti në luftimin e krimit me çka mundësohet një ambient më i sigurt, rend publik më i qetë dhe më shumë siguri për zyrtarët tanë policorë”, thotë ministri në postimin e tij në Facebook.

Ministri ka falënderuar shtetin kroat për bashkëpunimin e ngushtë dhe korrekt me institucionet e Republikës së Kosovës.

Zyrtarët e Policët e Kosovës nga sot do të patrullojnë anekënd vendit me pushkën sulmuese VHS-2, e cila prodhohet në Kroaci.

Por, cilat janë karakteristikat e kësaj arme?

Kjo pushkë prodhohet nga HS Produkt, kompani kroate e prodhimit të armëve të zjarrit, e cila është eksportuesja më e madhe e armëve nga Kroacia.

Pushka sulmuese VHS është armë e kalibrit 5,56×45 mm e NATO-s, e cila u prezantua për herë të parë në vitin 2007.

Diametri i plumbit është 10 milimetra, ndërsa është efektive deri në 800 metra. Maksimumi i shënjestrimit është 2 mijë e 100 metra.

Me një armë të ngjashme është e pajisur edhe policia e Shqipërisë.

Arrestimi i 12 zyrtarëve të ATK-së, i një pronari të biznesit dhe mashtrimi me fatura fiktive në vlerë prej 18 milionë euro

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës të martën kanë realizuar një aksion në disa lokacione.

Aksioni i cili ka nisur në mëngjes dhe ka vazhduar deri në orët e pasdites kishte të bënte me dyshimet mbi kryerjen e veprave penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi”.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë njoftuar se gjatë operacionit të së martës  kanë arrestuar 13 persona, prej tyre 12 zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, të dyshuar për veprat penalen “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Pretendohet se me veprimet e tyre të dyshuarit e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 2.8 milionë euro.

Pas arrestimit, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit për 12 zyrtarët e ATK-së dhe biznesmenin të arrestuar nën dyshimin për korrupsion.

Gjykata e ka caktuar masën e ndalimit të ofrimit të personit apo vendit të caktuar.

“Të pandehurve iu ndalohet qasja dhe ofrimi në objektet e institucionit qendror të ATK-së e duke përfshirë edhe të gjitha regjionet e saj në largësinë prej 500 (pesëqind) metra, gjithashtu të pandehurve punonjës të ATK-së tani iu ndalohet kontakti dhe ofrimi me të pandehurin F.P dhe bizneseve të tij, në largësi prej 500 metra. Mosrespektimi i kësaj mase nga ana e të pandehurve do të zëvendësohet me masën e paraburgimit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi

LEXO EDHE :

BONUS VIDEO: Kosova po vazhdon të armatoset, në radhë janë anti-tankët e fuqishëm, Javelinët amerikanë