Kërcënon hapur ministri serb pas publikimit të listës nga Armend Muja: Do ta mbrojmë popullin tonë në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Bratislav Gashiq, ish shef i Shërbimit Informativ (BIA), është marrë me të ashtuquajturën listë të personave që duhet të arrestohen nga institucionet e Kosovës.

Kjo listë, në të cilën janë përfshirë edhe djali dhe vëllai i Aleksandar Vuçiqit, është ‘hartuar’ nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, shkruan Demokracia.com.

Gashiq tha sonte se “lista e re e serbëve të padëshiruar e publikuar nga Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk është gjë tjetër veçse një ‘listë vrasëse’ dhe se është një tjetër tregues se të ashtuquajturat  autoritetet në Prishtinë nuk do t’i lënë kurrë të qetë serbët”.

“Provokimet dhe kërcënimet e vazhdueshme të njeriut të Kurtit,  Armend Muja, janë një tjetër tregues se përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme në Prishtinë nuk do t’i lënë kurrë të qetë serbët. Lista e sotme e publikuar nga Muja nuk është gjë tjetër veçse një listë vrasjesh. Listën në të cilën, ndër të tjera, përveç presidentit Vuçiq, djalit Danilo dhe vëllait Andrej, jam edhe unë”, ka thënë Gashiq.

“Zëdhënësi i Kurtit duhet të dijë të mos kërcënojë kurrë me armë bosh. Asnjë listë nuk do të na pengojë dhe na trembë që të mbrojmë popullin tonë në Kosovë dhe ne do të jemi gjithmonë aty për t’i mbrojtur ata”, tha Gashiq.