Kërcënojnë kryetarët e komunave veriore: Në dyshim organizimi i zgjedhjeve në këto komuna më 17 tetor

Kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës, Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, kanë thënë se do të mbajnë konsultime dhe nuk dihet nëse do të jetë i mundur organizimi i zgjedhjeve lokale të 17 tetorit në komunat veriore.

Reagimi ka ardhur pas konfirmimit të dënimit me dy vjet burgim të deputetit të Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, pas fjalëve fyese që kishte përdorur ndaj Masakrës së Reçakut, të cilën ndër të tjera e kishte quajtur trillim. Me konfirmimin e dënimit, Todosijeviqit i merret edhe mandati i deputetit.

“Duke pasur parasysh refuzimin e vazhdueshëm të Prishtinës për të zbatuar Marrëveshjet e Brukselit, të cilat janë në interes të popullit serb, dhe se nuk ka asnjë reagim nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga Bashkimi Evropian, që është garantues i këtyre marrëveshje, ne duhet të ngremë zërin tonë qartë në emër të qytetarëve tanë. Për shkak të situatës së re dhe pas konsultimeve që do të bëjmë brenda partisë sonë, do të shqyrtojmë nëse do të jetë e mundur të organizohen zgjedhjet e ardhshme lokale në komunat tona në veri, sepse mbajtja e këtyre zgjedhjeve dhe pjesëmarrja e qytetarëve nga veriu bazohet në Marrëveshjen e Brukselit, që është shkelur”, thuhet në reagimin e kryetarëve të komunave veriore në Facebook, e që është postuar në faqen e Listës Serbe.