Kërcënimi me vrasje ndaj Dick Martyt, ish-deputeti i PDK-së: Raporti e rasti i tij rrezikojnë zhbërjen e Kosovës si shtet

Kërcënimi me vrasje për ish-prokurorin Dick Marty, nga shërbimi sekret serb ka nxitur reagime të shumta si në Kosovë ashtu edhe në vendet tjera evropiane.

Sipas Dick Marty-t, “kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve”.

Lidhur me këtë çështje ka folur ish-deputeti i PDK-së, Nait Hasani i cili kishte votuar kundër themelimit të Dhomave të Specializuara, duke thënë se raporti i Dick Martyt për trafikim të organeve që në fillim ka qenë skandaloz dhe shumë tendencioz.

Hasani tutje shton se gabimi jonë si qeveri e shtet është që nuk kemi ngritur kallëzim penal ndaj këtij raporti dhe nuk kemi reaguar me kohë.

“Për herë të parë që sa vite kurrë më afër dhe me penallti nuk na ka vendos Serbia si Kosovë të gjykojmë e ta qesim në bankën e të akuzuarve për krime lufte Serbinë sesa sot me rastin e Dick Martyt. Dick Marty sot e akuzon Serbinë për planifikim të vrasjes së tij, ku që dy vite gati policia zvicerane e ruan në shkallën e pestë me kamera e granata nën sigurinë e lartë të shtetit”, ka thënë Hasani.

Ai shton që shteti i Kosovës duke nisur nga Presidenca, Qeveria, Kuvendi, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Jashtme duhet si një trup të reagojnë dhe të kërkojnë përgjegjësi penale ndaj shtetit serb duke u bazuar në deklaratat e Dick Martyt.

“Vrasja e Dick Martyt kish me qenë katastrofike për shtetin e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi në Ballkan”, ka thënë Hasani, duke shtuar se rasti i Martyt tregon rrezikun e Kosovës si mundësi nga zhbërja si shtet. /Telegrafi