LAJMI I FUNDIT

Kërcënimi i Vuçiqit me shembullin e Ukrainës, Rama ia kujton NATO-n, në Kosovë heshtin

Serbia papritur e ka denoncuar Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për përzierje në punët e brendshme të Beogradit, meqë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë e kërcënoi rajonin duke marrë shembull Ukrainën dhe pretendoi se ka mbështetje ndërkombëtare për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi duke ia kujtuar shtetit fqinj se tri vendet e Ballkanit Perëndimor janë aleatë në NATO. Reagim pati edhe në Podgoricë. Në Prishtinë jo.

Duke marrë shembull atë çfarë i ndodhi Ukrainën, Serbia kërcënoi të shtunën në mëngjes Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe kryetari i Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviq tha se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se kjo paraqet ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi dhe kërcënoi hapur me destabilizimin e rajonit.

Deklarata erdhi një ditë pasi Vuçeviq shkroi se “ushtria e Serbisë është më e forta në rajon”.

“Ke bërë një gabim dhe do të të godasë në kokë, ashtu siç i godet në Ukrainë të gjithë ata që e promovuan Kosovën si shtet të pavarur. Ju e keni hapur kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është sui generis, se është një rast i veçantë, janë qesharake. As Albin Kurti dhe as Tirana nuk të besojnë në këtë”, tha Vuçeviq për TV Pink.

Ai beson se ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, duke theksuar se kjo nuk është çështje vetëm e Serbisë, por edhe e fqinjëve të saj. Vuçeviq prentendoi gjithashtu se ka një konsensus mbarëshqiptar për bashkim kombëtar dhe se “serbët naivë mendojnë se kjo nuk mund të ndodhë dhe se nuk ka ndryshime kufijsh”. Ai theksoi se “mantra se nuk ka ndryshime të kufijve ka qenë gjithmonë e vlefshme, ndaj kanë ndryshuar”.

“A flenë të qetë miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut? A fleni të qetë? Ata mendojnë se janë në paktin e NATO-s dhe i kanë zgjidhur problemet e tyre me atë. Kjo është mantra e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Kur ata u bënë anëtarë të asaj sigurie kolektive, pra aleancës së NATO-s, mendojnë se i kanë zgjidhur të gjitha problemet e tyre dhe se asgjë nuk mund t’iu ndodhë”, tha Vuçeviq.

Duke thirrur të shikohet “çfarë ka në histori” dhe “çfarë po ndodh në oborrin e shtëpisë së tyre”, ministri serb pretendon se nuk po interferon në politikat e fqinjve.

“Ne nuk duam të udhëheqim politikën e tyre, por mund të themi se 25 për qind e shqiptarëve kanë 50 për qind të pushtetit në Maqedoninë e Veriut. Nëse kjo është në rregull për maqedonasit, është në rregull edhe për ne, ju padyshim që do të keni një politikë që nuk do ta shohë Maqedoninë si vendin e tyre”, tha ai.

“Unë nuk do të flija i qetë, por kjo është një pyetje për Shkupin dhe le të shohë Podgorica se çfarë do të bëjë. Unë shoh se pyetja më e madhe për ta tani është nëse partitë serbe, partia serbe, apo koalicioni lejohen të vijnë në pushtet me, thënë kushtimisht, disa ministri të vogla. Në Maqedoninë e Veriut 25 për qind e shqiptarëve kanë 50 për qind të pushtetit dhe në Mal të Zi 30 për qind e serbëve nuk mund t’i kenë dy ministri apo edhe një. Ata thonë se ne po përzihemi në punët e brendshme. Ju ndërhyni në punët tona të brendshme – e keni njohur Kosovën, a ka ndërhyrje më të keqe, më të pahijshme dhe më të hapur në punët e brendshme”, tha Vuçeviq.

Rama: Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë në NATO

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cilësoi “të rrezikshme dhe të papranueshme” kërcënimet e Beogradit në një reagim të sotëm.

“Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme”, shkroi Rama në rrjetin social “X”.

Ai kujtoi se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë në NATO dhe se janë të përkushtuara ndaj njëra-tjetrës në çështjet e sigurisë.

“Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit”, shkroi Rama.

Rama tha se nuk lejojnë askënd që ta tërheq rajonin në të shkuarën dhe theksoi e ardhmja është “Europa e Madhe”.

“Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do ta lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Europa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme”, shkroi kryeministri i Shqipërisë.

Asnjë reagim nga Kosova

Në Kosovë, institucionalisht dhe në nivel liderësh nuk pati asnjë reagim për kërcënimet e Vuçeviqit, të lidhura me pretendimet e tij se po punohet për krijimin e një “Shqipërie të Madhe”.

Qeveria e zhvilloi dje një mbledhje elektronike në të cilën miratoi vendimin përmes të cilit i bashkohet Deklaratës së Përbashkët të vendeve të G7 mbi mbështetjen për Ukrainën.

“Republika e Kosovës i bashkohet Deklaratës së G7 për Mbështetjen për Ukrainën. Sigurimi i fitores për Ukrainën – dhe mbajtja përgjegjëse e liderëve rusë për krimet e tyre – është thelbësore për ruajtjen e paqes dhe demokracisë. Kosova është e gatshme të kontribuojë në këto përpjekje”, shkroi kryeministri Albin Kurti.

Reaguan edhe në Malin e Zi

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, duket se e pa qartë qëllimin e Beogradit. Ai reagoi të dielën në mëngjes duke thënë se është e papranueshme çdo përpjekje për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose indirekt me aktorët e huaj (nga rajoni apo pjesa tjetër e botës) në krijimin e Qeverisë në Mal të Zi.

Milatoviq theksoi se mbledhja e 28-të e Kuvendit është pasqyrë e vullnetit të qytetarëve të Malit të Zi, të cilët sipas Kushtetutës janë bartës të sovranitetit.

“Pres që formimi i Qeverisë së 44-të të bazohet në vullnetin e shprehur lirshëm të qytetarëve në zgjedhjet e kaluara parlamentare, si dhe në prioritetet programore që do të mundësojnë anëtarësimin e përshpejtuar të Malit të Zi në BE, rritjen e standardit jetësor dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës”, shkroi Milatoviq në rrjetin social X, ish-Twitter,

Me këto kërcënime, Vuçeviq po i bie daulleve të luftës dhe po e destabilizon rajonin, tha deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Socialistëve nga Mali i Zi, Andrija Nikoliq.

“Vuçeviqi qëllimisht e anashkalon faktin që Serbia nënshkroi marrëveshjen në Kumanovë, e cila përfaqëson kapitullimin e regjimit të Millosheviqit gjatë kohës së luftës dhe se Millosheviqi pranoi që të gjitha, ushtria, paraushtarakët, policia, parapolicia dhe të gjitha formacionet e tjera të armatosura nga Serbia të largohen përgjithmonë nga Kosova”, tha ai.

Së fundi, thotë ai, Vuçeviq mendon se publiku në Mal të Zi ka një “kujtesë të shkurtër”.

“Dhe të mos harrojë se me rezolutën 1244, Serbia pranoi të largohej nga Kosova, me të cilën hoqi integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës Federale të Jugosllavisë mbi Kosovën dhe vendosi procedurën për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Mali i Zi, si shtetet tjera, thjesht zyrtarisht e pranoi se cila ishte gjendja faktike në terren dhe se me një interes, Serbia dhe Kosova të ecin përpara”, theksoi Nikoliq.

Lidhur me këtë reagoi edhe Ivana Stradner, hulumtuese në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD) dhe korrespodente e Kyiv Post.

“Në kohën kur Rusia dhe Serbia po bëjnë luftë informacioni në Ballkan, Radio Evropa e Lirë është një fener shprese në hapësirën mediatike”, shkroi ajo në “X”, duke shpërndarë shkrimin e REL-it.

Ndërkohë, mesazhe me flamuj të Serbisë dhe Rusisë janë shfaqur në ndërtesën e një prej shtëpive kryesore mediatike ruse, Rusia Sevodnja, dhe disa të tjera në qendër të Moskës. Në flamuj u shkruan mbishkrime si “Rusët dhe serbët vëllezër përgjithmonë”, dhe pati grafiti me mesazhe “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Përveç Moskës, siç raportuan mediat serbe, këto mesazhe u shfaqën edhe në Shën Petersburg, Jekaterinburg dhe tre qytete të tjera.