Kërcënimi i Qeverisë ndaj grevistëve për ndalim të pagës – reagon ashpër Jasharaj: Po bëni gabim të rëndë

Sot në Kosovë ka filluar greva e përgjithshme në sektorin publik. Por të gjithë grevistët po rrezikojnë të mbesin edhe pa paga. 

Këtë kërkesë të ministrisë së Financave po e cilëson skandaloze kreu i Grevistëve të BSPK-së, njëherit kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj derisa paralajmëroi se mund të ketë situata të rënduara.

Ai tha për Insajderin se sipas ligjit për greva nuk mund të merren masa ndëshkuese ndaj grevistëve.

“Urojë të jetë dezinformatë. Por nëse është e vërtetë është një hap tejet i gabuar dhe skandaloz qoftë i ministrit Murati qoftë i Qeverisë Kurti, greva jonë është legjitime e paraparë edhe me ligjin për grevë, duhet ta lexojnë këtë ligj. Dhe aty thuhet se në grevën legjitime s’mund të merret asnjë masë ndëshkuese, me largim nga puna apo ndonjë ndëshkim tjetër material“, tha Jasharaj.

“Me kërcënime të tilla Kurti do të krijojë një situatë të rënduar, të acaruar dhe nuk besoj që do të jetë dëshirë e tyre aspak”, u shpreh ai.

Në një emali të drejtuar Ali Sefajt, Ministria e Financave ka kërkuar sipas nenit 18 që të kenë një listë të personave që janë në greve për t’i pezulluar nga puna dhe tu ndalen benefitet.

Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi zv.sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu.

“Po është kërkesë ligjore është neni 18 i Ligjit për Greva, paragrafi 1, i cila kërkon që persona që janë në grevë tu pezullohen paga dhe përgjegjësia nga puna. Neni 18 i Ligjit për Greva kërkon pezullimin e kontratës së punë dhe të mos këtë përgjegjësi me punu edhe te mos paguhet vetëm për këtë arsye e kemi dërguar emalin”.

“Sot e kemi marrë njoftimi për grevë nuk kemi marrë më herët njoftimin. I kemi shkruar sindikatave dhe i kemi garantuar qe nuk e pengojmë grevën vetëm proceduralisht na duhet me dite kush është në grevë, prej kujt mundemi të kërkojmë punë dhe prej kujt jo. Ne kemi pranuar sot email prej Ali Sefaj dhe atij i kemi kthyer emailin duke i treguar se administrativisht duhet zhvilluar disa procedura pa e penguar procesin e grevës.”, tha Spahiu.

Sindikatat greviste po i bëjnë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë qasjen dhe të realizojë kërkesat për mbështetje prej 100 euro për sektorin publik deri në rregullimin, miratimin e Ligjit për Paga.

Gazeta Insajderi ka siguruar njoftimin e BSPK-së dërguar ministrisë së Financave ku bëhen të ditura kërkesat e tyre.

“Kërkojmë nga ju të krijoni kushte dhe të mos pengoni mbajtjen e grevës e cila ka për qellim mbrojtën dhe avancimin e statusit dhe të drejtave të shërbyesve civil”, thuhet mes tjerash.