“Keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim”, kërkohet paraburgim ndaj nëntë zyrtarëve të Lipjanit

Prokurori i Shtetit, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente, ndaj nëntë personave (zyrtarëve publik) të Lipjanit, për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” si dhe “Mashtrimi”.

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente, ndaj 9 personave për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Mashtrimi”, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Policia e Kosovës të hënën ka arrestuar nëntë persona, të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit” dhe veprën penale të “Mashtrimit”.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, personat e arrestuar në cilësinë e personave zyrtar, si anëtarë të Komisionit teknik kanë bërë pranimin e punimeve të stadiumit futbollistik në fshatin Magure – Komuna e Lipjanit, kinse janë kryer punimet sipas kontratës së fituar nga një kompani.