“Ne kemi duruar për një kohë të gjatë”, kjo është mënyra se si shumë nga sindikatat të punëtorëve të Europës, po arsyetojnë kërkesat për rritje pagash këtë vit, duke premtuar veprime industriale nëse ato kërkesa nuk dëgjohen.
Pagat e 165 milionë punëtorëve të Eurozonës nuk janë rritur me të njëjtin ritëm me inflacionin, për të tretin vit radhazi, edhe pse kompanitë mbledhin fitime duke rritur çmimet më shpejt sesa rritja e kostove.
Punësimi rekord dhe mungesa e gjerë e fuqisë punëtore, po u japin punëtorëve një levë të rrallë, dhe shumë e shohin si një mundësi për të rikuperuar një pjesë të fuqisë së humbur në vitet e kaluara.
“Një pjesë e rritjes së pagave është e kuptueshme,” tha Jens Ulbrich, drejtues ekonomik në Bundesbank të Gjermanisë.
“Është një rikuperim i pjesshëm dhe pjesa e pagave në prodhimin ekonomik nuk po rritet. Por këto tendenca tregojnë për inflacion të vazhdueshëm dhe disinflacion më të ngadalshëm”, tha ai për përpjekjet për të ulur rritjen e çmimeve, nga 8.5% aktual.
Për punëtorët, kompensimi real për orë, ka rënë me më shumë se 7% që nga fillimi i vitit 2021. Kjo, kombinuar me faktin se punësimi është në një nivel record, 3.6 milionë mbi kulmin para pandemisë, u jep atyre baza të forta mbi të cilat të shtyjnë për rritje.
Megjithatë, rritja e shpejtë e pagave që po ndodh tani, do të pengojë përpjekjet e Bankës Qendrore Europiane (European Central Bank, ECB), për të rikthyer inflacionin në objektivin e saj prej 2%, dhe ndoshta do ta detyrojë atë të mbajë normat e interesit të larta për më gjatë.
Kërkesat e sindikatave për kompensim për ndikimin e inflacionit të kaluar, shkaktojnë shqetësim të veçantë për politikëbërësit monetarë, sepse i ashtuquajturi përcaktim i pagave priret të përfshijë inflacion më të lartë në terma afatgjatë.
Aeroporti Schiphol i Amsterdamit, i cili pati mijëra fluturime të anuluara dhe kohë pritjeje 4-5 orë, verën e kaluar, mund të jetë një rast studimi se si punëtorët po përdorin fuqinë e tyre.
FNV, sindikata më e madhe në Holandë, javën e kaluar siguroi një rritje page 8% për këtë vit në Schiphol, plus një pagesë bonus 2000 euro, së bashku me një sërë përfitimesh të tjera.
“Fitimet e larta të korporatave paguhen kryesisht nga konsumatorët, që përballen me çmimet në rritje,” tha José Kager i FNV. “Gjithçka po bëhet më e shtrenjtë, por pagat nuk po ndryshojnë. Pagat kanë mbetur prapa për një kohë të gjatë, kështu që është koha që punonjësit të marrin pjesën e tyre.”
Marrëveshja vjen pasi Schiphol ende po detyrohet të kufizojë trafikun ajror nën nivelet e vitit 2019, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.







