Këmbëngulja amerikane | Pas sanksioneve të para, sekretari Blinken përsërit kërkesat për Albin Kurtin

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka dënuar sulmet e huliganëve serbë ndaj ushtarëve të KFOR-it gjatë tensioneve në veri dhe ka kërkuar shtensionim të menjëhershëm të gjendjes.

Përmes një deklarate gjatë orëve të para të së mërkurës, sipas kohës lokale në Kosovë, Blinkeni ka bërë thirrje që Kosova e Serbia t’i përkushtohen dialogut.

Ndërsa ka theksuar se vendimi i Qeverisë së Kosovë që me forcë të hyjë në ndërtesat komunale ka përshkallëzuar tensionet në mënyrë të panevojshme.

Tutje ai ka pasur dy kërkesa ndaj Qeverisë e Kurtit, për të siguruar që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet. Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e papranueshme dje kundër trupave të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forcave të rendit dhe gazetarëve.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale përshkallëzoi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia.

Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë së sfiduari KFOR’in dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.

Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet menjëherë të angazhohen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në deklaratë.

Një ditë më parë, SHBA-ja njoftoi se ka vendosur ta sanksionojë Kosovën për insistimin e Qeverisë për t’i vendosur kryetarët e komunave në veri në ndërtesat komunale, për çka ka nxitur trazira nga serbët lokalë. Vendimi i parë ishte për ta përjashtuar Kosovën nga stërvitja e madhe ushtarake “Defender Europe 2023”, ka bërë të ditur ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

Ndërsa qortimin e parë të Blinkenit, pas nisjes së tensionimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar “të padrejtë, të gabuar, lëndues dhe naiv”.