Ramiz Kelmendi

​Kelmendi kërkon nga shteti politika më të mira fiskale për bizneset

Biznesmeni Ramiz Kelmendi ka deklaruar se kriza politike në veri të Kosovës nuk duhet të pengojë zhvillimin ekonomik dhe se Ministria e Industrisë dhe Ministria e Ekonomisë duhet të fokusohen në zhvillimin ekonomik dhe të mos mbeten të bllokuara nga problemet politike.

Në një intervistë për KosovaPress, Kelmendi ka kritikuar mungesën e mbështetjes nga shteti dhe efektet e ligjit të Ministrisë së Mjedisit për qeset plastike, ndërsa ka bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve dhe bizneseve për zhvillimin e politikave më të mira fiskale.

Kelmendi thotë se ministritë duhet të punojnë më shumë për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Kemi një krizë politike në veri, por ajo krizë nuk thotë asgjë për MINT, Ministrinë Ekonomisë, merr pjesë Ministria e Mbrojtjes, kryeministri apo ministri i Punëve të Jashtme, ndërsa ministritë tjera duhet të punojnë, për arsyeje se ata kanë kohë, për arsye se kanë tetë orë pune – ata nuk ishte dashur të kenë orar të caktuar, duhet çdo ditë të jenë me qytetarin, me votuesin e vet, në mënyrë që të fitojë besimin në të ardhmen apo të tregojnë se nuk janë të zotë të udhëheqin tutje… Kriza në veri nuk është e ministrive. Ne nuk guxojmë të mbesim në mëshirën e qytetarëve të veriut që janë të persekutuar dhe të diktuar nga Serbia dhe Beogradi, që ne pastaj të themi që nuk po punojmë as ne asgjë. Duhet ministritë të dalin e të flasin me të gjithë njerëzit që kanë interesim për zhvillim”, tha ai.

Kelmendi thotë se shqetësuese është edhe largimi i punëtorëve nga Kosova, megjithatë shton se liberalizimi i vizave ka ndikuar të vetëdijesohen punëdhënësit karshi punëtorëve. Mirëpo, thotë se në këtë drejtim për shkak të rritjes së pagave, ka rritje të çmimeve të produkteve.

“Ka lëvizje të punëtorëve, ka edhe lëvizje të vetëdijes së punëdhënësve me të cilën po tregohet që për t’i mbajtur këta të punësuar, duhet të lëvizet pak edhe me paga. Por, lëvizja e pagave dhe të gjitha tjerave e tërheq me vete dhe lëvizjen e çmimeve, prandaj, nëse shohim njerëzit që ankohen se ka rritje të çmimeve, edhe pse te ne në dyqan ende nuk ka diçka të madhe, veç nëse furnitorët i kanë rritur, por ajo fillon menjëherë prej prodhuesit. Prodhuesit duhet të gjejnë mënyrën e shtrenjtimit të çmimit, në mënyrë që të kompensojë pagën e rritur të domosdoshme për të punësuarin e vet”, deklaroi Kelmendi.

Sa i përket vendimit të Ministrisë së Mjedisit që disa lloje të qeseve të bëhen me pagesë, Kelmendi thotë se tashmë ka rënë sasia e prodhimit të tyre dhe se fabrika po punon me kapacitete të zvogëluara.

“Prodhimi ka rënë (i qeseve të plastikës), për arsyeje se qytetarët tash po ju duket pak e shtrenjtë, dhe ndoshta edhe po kursejnë, po marrin me vete nga shtëpia, po i fusin në makina, dhe ka rënë jashtëzakonisht shumë…Mirëpo, fabrika po funksionon me kapacitete të zvogëluara”, thotë Kelmendi.

Duke folur për sfidat e bizneseve, Kelmendi thotë se ka mungesë të bashkëpunimit nga ana e qeverisë.

“Qeveria nuk duhet me qenë pjesë e larguar e bizneseve, MINT duhet me qenë gjithmonë në funksion të dëgjimit të kërkesave të arsyeshme, për arsyeje se tregu po ndryshon, nëse sot kërkohet të kemi punëtorë nga jashtë, ishte dashur që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të propozojë ndonjë ligj për lehtësimin e të punësuarve jashtë Kosovës. Nëse ka lëvizje të taksave të ndryshme, atëherë ishte dashur edhe MINT të sjellë ligje që mbrojnë prodhuesit dhe tregtarët e vendit. Bashkëpunimi qeveri dhe ekonomi nuk ekziston në nivelin e duhur. Nuk ka takime edhe individuale, nuk janë takimet grupore, takime zgjedhore, për arsye se ka një biznesmen që ka biznese qindra milionëshe dhe ai nuk mund të jetë në takimin e njëjtë me dikë që ka një biznes 100-mijësh, jo pse është biznes më i vogël ose më i madh, mirëpo kërkesat e një biznesi, afaristit të madh, gjithmonë duhet kuptuar si më emergjente dhe shpesh nxjerr më shumë mendime nga ta ose duhet të merren bizneset e kategorive të caktuara dhe kërkesat e tyre të trajtohen me kujdes”, shton Kelmendi.

Biznesmeni Kelmendi thotë se shqetësuese është edhe mos ndryshimi i politikave fiskale.

“Do të duhej të krijojë politika fiskale dhe mbështetje në garantimin e kredive, në mënyrë që ata nuk kanë hipoteka, por kanë vizione të jashtëzakonshme të mbështeten në mënyrë që të analizojnë vetëpunësimin dhe punësimin e tjerëve. Derisa qeveria nuk lëshohet në këto drejtime, vetëm në këtë formë nëse një institucion qeveritar gjatë bisedës me sektorët privat apo me qytetarët e interesuar për të bërë biznes nuk ka nxjerrë këtë numër, atëherë është numër fiktiv, ne i dërgojmë numër fiktiv zgjedhor”, tha ai.

Kelmendi ka folur edhe rreth importit dhe eksportit në vend, duke thënë se nevojitet një përkrahje më e madhe për bizneset nga shteti, në mënyrë që të vijë deri te shtimi i eksportit në tregun e huaj.

Ndryshe, të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për muajin prill 2024 tregojnë për një deficit tregtar prej 12.2% në prill 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë 2023, përkatësisht 427.5 milionë euro krahasuar me deficitin 381 milionë në vitin 2023, teksa eksporti mbulon importin me 14.6%.

Eksporti i mallrave në prill 2024 kishte vlerën 73.2 milionë, ndërsa importi 500.7 milionë euro që është një rritje 8.8 për qind për eksport, si dhe një rritje 11.7 për qind për import krahasuar me periudhën e njëjtë 2023.

Sipas ASK-së, eksportet në BE arritën në 25 milionë euro ose rreth 34.1 për qind e eksporteve të përgjithshme me rritje 27.9%. Importet e Kosovës nga BE-ja ishin rreth 243.4 milionë euro ose 48.6% e importeve të përgjithshme, me rritje 22.2%.

Eksportet e Kosovës me CEFTA arritën në 32.6 milionë euro ose 44.5% të eksporteve të përgjithshme, me rritje 20.7%. Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 65.5 milionë euro ose 13.1% të importeve të përgjithshme, me rënie 16.4%. Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 15.6 milionë euro ose 21.4%. Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 191.1 milionë euro ose 38.3%.