KEDS

KEDS: Sulmohen me armë zjarri dyert e trafostacionit në fshatin Irzniq

KEDS ka njoftuar se persona të panjohur mbrëmë rreth mesnatës kanë shtënë me armë zjarri në dyert e trafostacionit në fshatin Irzniq të Deçanit.

Sipas tyre, si rrjedhojë e saj, pajisjet elektroenergjetike brenda këtij trafostacioni janë djegur.

“Persona të papërgjegjshëm mbrëmë rreth mesnatës kanë shtënë me armë zjarri në dyert e Trafostacionit në fshatin Irzniq. Si rrjedhojë, pajisjet elektroenergjetike brenda këtij trafostacioni janë djegur. Ekipet e KEDS-it janë angazhuar në eliminimin e dëmeve të shkaktuara nga ky akt i paprecedent, për çka informojmë konsumatorët tanë të afektuar se rikthimi i energjisë elektrike aty do të marrë kohë deri në orët e pasdites së sotme ose nesër”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se në lidhje me këtë janë informuar autoritetet e rendit.

“Aktualisht, në vendin e ngjarjes ndodhet Policia e Kosovës dhe hetuesit. KEDS-i dënon ashpër këtë akt të shëmtuar dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve të jenë të përgjegjshëm e të mos bëjnë veprime të tilla, sepse dëmi është i dyfishtë: dëmtohet aseti elektroenergjetik dhe konsumatorët mbesin pa energji elektrike”, është shkruar në njoftim.