KEDS: Një qytetar ka kyçur gypin e ujërave të zeza në kanalin tonë kabllovik

Kompania KEDS e cila merret me menaxhimin e rrjetit energjetik të Kosovës, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se një qytetar në lagjen Veternik , përkatësisht në magjistralen Prishtinë-Gjilan, ka kyçur rrjetin e ujërave të zeza në kanalin e KEDS në të cilin kanë vendosur përçuesit e energjisë elektrike.

Një veprim të tillë e kanë cilësuar si të papërgjegjshëm dhe që rrezikon qytetarët dhe gjithashtu edhe furnizimin me energji elektrike.

“Qytetarë të papërgjegjshëm po bëjnë veprime kriminale duke kyçur kanalizimet e tyre në kanalet kabllovike të KEDS-it ku janë kabllot që furnizojnë qytetarët me energji elektrike. Kjo po rrezikon direkt furnizimin me energji elektrike, sigurinë e sistemit, sikurse sigurinë e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

“Një rast konkret që ndërlidhet direkt me këtë fenomen të papranueshëm ka ndodhur së fundmi në lagjen Veternik (magjistralja Prishtinë-Gjilan), ku një qytetar është kyçur me rrjetin e kanalizimit të ujërave të zeza në kanalin kabllovik të KEDS. Ekipet e kompanisë kanë intervenuar menjëherë duke e bërë pastrimin e kanalit dhe zëvendësimin e stabilimentit, në mënyrë që konsumatorët e asaj ane të mos mbesin pa furnizim me energji elektrike”, shpjegon komunikate.

Nga KEDS thonë se raste të tilla janë në rritje e sipër dhe kanë ftuar organet e drejtësie që të veprojnë.

“Raste të tilla po ndodhin vazhdimisht në lagje të ndryshme të Prishtinës. KEDS u bënë me dije qytetarëve që veprime të tilla janë vepra penale rreptësishtë të ndaluara. Ftojmë organet e rëndit dhe të drejtësisë që të merren me adresimin e rasteve të tilla në mënyrë që të mos përsëriten në të ardhmen”, përfundon njoftimi.