Banorët e lagjes “Shefki Kuleta” në Fushë-Kosovë gjatë ditës së sotme po përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike.

Banorët e kësaj lagje kanë thënë për portalin “Zëri.info” se prej orës 10 të mëngjesit nuk kanë energji elektrike.

“KEDS na ka terrorizuar gjatë ditës së sotme. Prej orës 10 të mëngjesit nuk kemi energji elektrike. Fëmijët kanë mbetur pa ngrohje, pasi që ngrohemi me rrymë”, thotë një banore e kësaj lagje.

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar edhe zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala, por ai ka thënë se ka mbingarkesë në këtë pjesë të qytetit. “Prej orës 10:00 deri në ora 4 pasdite kanë qenë të planifikuara reduktimet e energjisë, por për shkak të mbingarkesës nuk kanë mundur ta furnizojnë me rrymë atë pjesë. Ekipet kanë shkuar atje dhe pritet rikthimi i furnizimit me energji elektrike”, ka thënë Buzhala.

Në anën tjetër, zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës(KEK) kanë bërë të ditur për “Zërin” se me kohë i kemi njoftuar operatoret se sot rreth orës 10:00 qe “Blloku A4” i termocentralit “Kosova A” do të dalë jashtë sistemit për shkak të një defekti.

”Për këtë ndalesë të “Bllokut A4” operatoret qe kanë obligim për furnizim të qytetarëve me energji elektrike janë të njoftuar nga dje, kështu qe, KEK-u nuk ka asnjë përgjegjësi sa i përket reduktimeve të energjisë elektrike. Furnizues publik sipas licencës janë KEDS-i dhe KOSST-I”, bëhet e ditur në një përgjigje të KEK-ut.