Paga

KEDS dhe KESCO propozojnë që punëtorëve të tyre t’u rriten pagat rreth 15%, e lidhin me migrimin

KESCO dhe KEDS kanë propozuar rritje të pagave për punëtorët e tyre rreth 15 për qind, në aplikimin për të Hyrat e Lejuara Maksimale për vitin 2024, që kanë dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë. Propozimin e kanë lidhur me migrimin dhe rritjen e pagave për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Në kërkesën e KEDS thuhet se dallimi në paga po i demotivon punëtorët profesional.

“Andaj, marrë parasysh si më lartë, me qëllim të frenimit të trendit të migrimit, sigurimit të stabilitetit dhe qëndrueshmërisë operative, OSSH propozon një rritje të pagave prej 15% për vitin 2024, e cila do të ndihmojë operatorin të jetë në gjendje të mbajë një fuqi punëtore kompetente dhe të kualifikuar”, thuhet në kërkesë.

Edhe te kërkesa e KESCO-s përmendet rritja e pagave për punëtorët e KEK, si dhe migrimi. Në kërkesë thuhet se edhe nëse punëtorët do të largoheshin përkohësisht, mund të përballet me sfida.

“Në një skenarë të tillë, ku punëtorët e FSHU-së mund të largohen qoftë edhe përkohësisht, duke shfrytëzuar të drejtën e qëndrimit në zonën Schengen deri në 90 ditë, FSHU mund të përballet me sfida të qëndrueshmërisë dhe joefikasitetit operativ. Për më tepër, FSHU vazhdimisht ka qenë nën presion nga punonjësit që kërkojnë rritje të pagave dhe mos-reflektim i kërkesave të tyre do të ndikoj në kualitetin e shërbimeve të ofruara dhe jo vetëm. Marr parasysh si më lartë, FSHU në këtë aplikim parashikon një rritje të pagave për punëtorët prej 15%, me qëllim që të pasqyrohet vlera e tyre për kompaninë dhe nivelizimin e tyre me pagat e të të licencuarve të tjerë të sektorit”, thuhet në aplikim.

VIDEO BONUS: ​Ministri gjerman i Mbrojtjes viziton Kosovën më 5 shkurt