Sot në tërë Kosovën është organizuar pjesa e parë e Testit të Arritshmërisë, me ç’rast mbi 24 mijë nxënës i janë nënshtruar këtij vlerësimi në 176 Qendra të Testimit, ku të angazhuar për mbarëvajtje të procesit kanë qenë rreth 1600 administrues. Mirëpo, ajo që lë shije të keqe vit pas viti është fenomeni i cili po rezulton i pazgjidhshëm, kopjimi masiv.

Vonim kishte, por shpëtim jo. Pak kohë u nevojit që në publik të dalin njëra pas tjetrës të gjitha pyetjet e testeve të sotme. Facebook u vërshua me grupe të cilat i shpërndanin pyetjet e përgjigjjet e sakta, u shpërfaqën në publik edhe foto të grupeve të Viber ku nxënësit diskutonin mes vete. Por, një rast interesant e që e përshkruan shkëlqyeshëm katrahurën që ndodh në Testin e Arritshmërisë, ka qenë ai i një vajze që kishte sot fatin e botës.

Gazeta Metro përmes burimeve të saj ka mësuar një parregullsi të madhe që ka ndodhur sot në njërën nga qendrat ku janë testuar nxënësit e klasave të nënta. Një vajzë për administruese kishte tezen e saj, pra motrën e nënës, e cila ua dha nxënësve të asaj klase tërë hapësirën e mundshme për të kopjuar.

Tezja fillimisht nuk ishte e caktuar si administruese në atë klasë, por vetëm si rezervë. Megjithatë, ajo e gjeti mundësinë për t’u futur aty sepse administrues ishte një koleg i saj, i cili pranoi që herë pas herë të ndërrohej me kolegen, treguan burimet e Metros brenda asaj shkolle, emri dhe komuna e së cilës u kërkua të mos përmendej.

“Kështu asaj iu krijua mundësia t’i dërgonte të gjitha përgjigjjet duke bashkëpunuar edhe me persona nga jashtë”, tha për Gazetën Metro burimi i cili edhe vetë administroi sot në atë shkollë.

Ky rast është padyshim vetëm njëri nga qindra e qindra situatat e çuditshme që krijohen kur vjen koha e këtij testimi. Prej përdorimit të telefonave e deri te kopjimi klasik me bashkëpunim mes nxënësve e mësimdhënësve, ky test nuk dështon të na tregojë sa i parregullt dhe i dëmshëm është.

Në pjesën e parë, nxënësit janë testuar në katër lëndë: Gjuhë amtare, Gjuhë angleze, Histori dhe Gjeografi, ndërsa pjesa e dytë e testit do të mbahet më 14 qershor 2022. Institucionet thanë se procesi ka shkuar në rregull.