Lajmi i fundit

Katër shtetas të Kosovës pësojnë djegie nga shpërthimi i bidonit me benzinë në një skaf në Himarë

Pesë persona kanë pësuar lëndime në një mjet lundrues në det në Himarë pasi dyshohet se ka shpërthyer një bidon me benzinë.

Sipas Policisë së Shqipërisë, viktimat janë katër persona nga Kosova dhe drejtuesi i skafit shtetas shqiptar.

“Të pestë këta shtetas kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas janë larguar pasi dëmtimet ishin të lehta”, thuhet në njoftim.

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 në një mjet lundrues skaf në pronësi të një kompanie turistike, që sapo kishte dalë në det, dyshohet se si pasojë e vakuumit dhe nxehtësisë ka shpërthyer një bidon me 28 litra benzinë.

Sipas Policisë, nga sprucimi i benzinës kanë pësuar djegie të lehta shtetasit A. K., 24-vjeç, A.H., 24-vjeç, L.S. 24-vjeç dhe M.K., 21-vjeçe, të katërt nga Kosova, si dhe drejtuesi i skafit, shtetasi N.L., 32-vjeç, banues në Vlorë.

Ndërsa tutje thuhet se në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të shkakut të përfshirjes nga zjarri të mjetit turistik.