Katër personalitete nga Suhareka i dhurojnë 40 mijë euro në Fondin e Sigurisë, ku janë qytetet tjera?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se për shkak të nevojave të FSK-së dhe situatës aktuale ndërkombëtare, e kanë themeluar Fondin e Sigurisë.

Kurti në një postim në Facebook tha se ky vendim u mor pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë. Me financat e mbledhura, Qeveria synon t’i përdor sipas strategjisë së sigurisë shtetërore të Kosovës, shkruan Demokracia.com.

I pari që ka kontribuar në këtë Fond ka qenë kryetari i Suharekës Bali Muharremaj, i cili e ka dhuruar rrogën e muajit shkurt.

Shembullin e tij e ka ndjekur deputetja e AAK-së po nga Suhareka, Albana Bytyqi, e cila po ashtu e ka dhuruar rrogën e muajit shkurt.

Dhe Suhareka nuk ndalej me kaq. Shaqiri Palushi nga kompania Frutex që prodhon Gold Eagle, ka dhuruar plot 10 mijë euro.

Pas Palushit ka reaguar Arsim Kabashi, pronari i kompanisë së njohur të ndërtimit “Cima Construction” dhe pronar i klubit të futbollit “FC Ballkani” nga Suhareka, i cili në Fondin e Sigurisë i ka dërdhur hiç me pak se 25 mijë euro.

Duke e bërë një përllogaritje të thjeshtë, del që vetëm Suhareka deri më tash në Fondin për fuqizimin e ushtrisë së Kosovës i ka dhuruar afërisht 40 mijë euro.

Deri më tash nuk ka ndonjë paraqitje të dikujt tjetër nga qytete tjera për të dhuruar shuma të mëdha në këtë Fond, siç kanë bërë këto personalitete të Suharekës. /Ballkani.info/