Katër kosovarë vdiqën në rrethana tragjike brenda një jave në Gjermani, këto janë detajet

Për pak ditë në Gjermani dy ngjarje tragjike me protagonistë persona nga Kosova kanë tronditur vendin. Ditë më parë një person nga Ferizaj ka vrarë kunatën e tij dhe ka plagosur vëllain. Mbrëmë ndërkaq, një kosovar ka vrarë vajzën e tij, gruan dhe në fund edhe veten. Media sjell detaje nga të dy rastet.

F.S., (emër i njohur për redaksinë), me prejardhje nga Ferizaj, por me vendbanim në Gjermani, ka vrarë kunatën e tij 33-vjeçare dhe ka plagosur vëllain 38-vjeçar, të shtunën në Lohne të Bielefeldit, në Gjermani.

Për krimin që tronditi diasporën dhe Kosovën, kanë folur për Express policia e Bielefeldit.

Në përgjigjen e tyre thuhet se historiku i ngjarjes që la të vdekur 33-vjeçaren mbetet akoma i paqartë, teksa hetimet po vijojnë.

“Historiku i aktit është aktualisht i paqartë, hetimi i komisionit të vrasjes “Theo” nën drejtimin e shefit detektiv Kollien është ende në vazhdim”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas policisë gjermane, gjithçka nisi të shtunën mbrëma kur ferizajasi 48-vjeçar, vizitoi banesën e ish-familjes së tij në Lohne dhe gjuajti me armë zjarri në drejtim të familjarëve të tij.

“Ai qëlloi për vdekje kunatën e tij 33-vjeçare dhe plagosi rëndë vëllain e tij 38-vjeçar, gjithashtu plagë të rënda trupore pësoi edhe dorasi”, thuhet tutje në përgjigjen e policisë gjermane.

Tutje, sipas raportimeve të mediave gjermane banesa ishte e ish-gruas së dorasit, ndërsa aty për vizitë kishte shkruar vëllai dhe kunata e tij, tashmë e ndjerë.

Raportohet se 48-vjeçari kishte tentuar të hyjë brenda banesës, por ishte penguar nga vëllai, për pasojë dorasi mori armën dhe shkrepi në drejtim të familjaravë të tij. Dëshmitarë të ngjarjes së rëndë ishin disa fëmijë të moshës nga 13 deri në 18 vjeç.

Një fqinj i familjes që jetonte një kat më poshtë, kishte dalë për të shikuar se se çfarë po ndodhte dhe pse pati të shtëna armësh, ai pa se aty kishte fëmijë që bërtisnin.

Menjëherë ai thirri policinë, ambulancën dhe ekipet e tjera të shpëtimit.

“Dëgjova dy të shtëna dhe gati sa nuk rashë nga karrigia ime. Fëmijët bërtisnin me të madhe. Në atë moment unë thjesht reagova dhe thirra punëtorët e shpëtimit. Kur zbrita në korridor, fëmijët erdhën duke bërtitur drejt meje. Njeriu me rrënjë shqiptare u çmend plotësisht. Fëmijët duhet ta kenë mundur atë dhe e kanë hedhur armën në një livadh para shtëpisë”, ka thënë ai.

“Unë isha i frikësuar dhe dridhesha gjithandej”, tha fqinji.

“Ju thjesht doni të ndihmoni. Unë do të isha i lumtur nëse njerëzit e tjerë do të bënin të njëjtën gjë. Policia kriminale nga Herford dhe forenzika nga Bielefeld ekzaminuan skenën e krimit atë mbrëmje”.

Disa mjekë të urgjencës dhe punëtorë të shpëtimit u kujdesën për të plagosurit. Gruaja me sa duket vdiq gjatë rrugës për në spital. Familja e viktimës nuk janë deklaruar akoma për ngjarjen.

Babai vret gruan, vajzën dhe veten

Pos rastit të së shtunës një tjetër rast tragjik ka ndodhur dje në Gjermani.

Në Isselburg të Gjermanisë, një shqiptar nga Kosova ka vrarë bashkëshorten, vajzën e më pas veten.

“Sipas njoftimeve të para 51-vjeçari ka dashur të vrasë bashkëshorten dhe dy fëmijët. Para ngjarjes këtë mëngjes ai kishte njoftuar një të njohshëm, i cili më pas ka kontaktuar Policinë. Në apartament forcat e rendit kanë gjetur trupin e pajetë të bashkëshortes 46-vjeçare, vajzës 17-vjeçare. Vajza e dytë, 14-vjeçare, ka shpëtuar pa lëndime”, ka thënë kryeprokurori Martin Botzenhardt.

Autoritetet llogarisin se 51-vjeçari së pari ka vrarë bashkëshorten, më pas vajzën 17-vjeçare e pastaj ka varur veten, raporton Bild.

Vajza 14-vjeçare ka dhënë informacionet e para në lidhje me krimin. Dyshohet se motiv ishin kontestet e një faze ta gjatë të ndarjes së çiftit.

Një nga fqinjët, në një prononcim për “BBV-net.de” tregoj për problemet që kishin pasur çifti më herët.

“Unë e njoh mirë familjen. Fatkeqësisht ka pasur një mosmarrëveshje për një kohë të gjatë. Ishte në lidhje me divorcin dhe kush duhet të merrte shtëpinë, ”shpjegoi babai i një fqinji që kishte ardhur në Danziger Strasse pasi mori vesh për krimin.