Përveç një banese të deklaruar, zyrtari i MMPHI’së, Naser Hafizi, i cili u arrestua para një jave, dyshohet se ka në pronësi edhe gjashtë banesa të tjera që s’i ka deklaruar. Katër prej tyre dyshohet se i ka blerë në më pak se një vit. Paga e tij është rreth 850 euro, që për Prokurorinë ka ngritur alarm për këto blerje. Vetë Hafizi ka mohuar se banesat janë të tij.

Në deklarimin e pasurisë që i kishte dorëzuar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në maj të këtij viti, zyrtari i MMPH’së, Naser Hafizi, kishte paraqitur një pasuri krejt modeste. Aty kishte deklaruar se ka vetëm një banesë që e kishte blerë para tri vitesh, edhe atë me kredi.

Por, pasuria e tij në të vërtetë edhe larg modestes. Dyshimet e Prokurorisë janë se i njëjti posedon edhe gjashtë banesa tjera që i ka fshehur, për të cilat tashmë është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi.

Ky urdhër nga Prokuroria erdhi pas aksionit që u zhvillua para një jave në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që rezultoi me arrestimin e u.d i Sekretarit të Përgjithshëm, Izedin Bytyqi dhe Naser Hafizit, që është Ushtruesi i Detyrës së Udhëheqësit të Autoritetit të Rajonit te Pellgjeve Lumore

Hafizi u arrestua me të arritur në Aeroportin e Prishtinës të enjten, nën dyshimin për “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

Banesa e vetme që e ka deklaruar Hafizi në regjistër, është në vlerë 55 mijë e 600 euro, të cilën ka thënë se ka blerë me kredi në vitin 2021. Sipërfaqja e saj është 93.28 metër katrorë.

Prokuroria ka gjetur gjatë hetimeve disamujore se Hafizi ka blerë katër banesa në Prishtinë e Fushë Kosovë, në një periudhë kohore më pak se një vit. Për Prokurorinë, pasuria e blerë nga Hafizi është në disporoporcion të madh me të hyrat e tij.

Hafizi ka deklaruar si të hyra vjetore, pagat nga Ministria në vlerë prej 10 mijë e 240 euro, që i bie rreth 855 euro në muaj, 6 mijë e 600, apo 550 euro në muaj ka deklaruar se i merr bashëshortja dhe 4 mijë e 400 euro në vit apo 350 euro në muaj ka thënë se i merr prindi i tij.

“Gjatë fazës së hetimeve është gjetur se i pandehuri Naser Hafizi, vetëm në periudhën kohore prej datës 17.08.2023 deri me datë 16.07.2024, i ka blerë katër banesa në lokacionet Prishtinë Fushë Kosovë. Nga zbulimi i të dhënave financiare ka rezultuar se nuk ka të hyra përveç pagave të tij, bashkëshortes dhe babai të tij të cilat nuk kapin vlerën prej rreth 1600 në muaj. Lidhur me këtë vlerësojmë se pasuria të cilën e ka blerë i pandehuri vetëm në këtë periudhë kohore është në disproporcion të madh në krahasim me të hyrat e tij”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, së publikuar në media.

Përveç këtyre banesave, Hafizi dyshohet se ka blerë edhe pasuri të tjera të paluajtshme, e që i ka bartur në emër të personave tjerë.

“Deri në këtë fazë të hetimeve dyshohet se i pandehuri ka blerë edhe paluajtshmëri të tjera me qëllim të maskimit dhe fshehjes së burimit të pasurisë disa nga paluajtshmëritë e blera i ka bartur në emër të personave të tjerë”, thuhet në dosje.

Dyshohet edhe për mos raportim ose raportim të rremë të pasurisë, saktësisht mosdeklarim të disa banesave që kishte blerë.

“Nuk e ka deklaruar banesën në rrugën Bill Clinton, ndërsa në vitin 2022 e ka blerë banesën në Zonën Kadastrale në Fushë Kosovë, Njësia Kadastrale 0-72514036-00428-22-309-14, në sipërfaqe 82.25m katrorë, kati i parë, poashtu në Formularin për Deklarimin e pasurisë për vitin 2023, nuk e ka deklaruar objektin banesor SU-4/ 4 Hyrja, F-5 në Dardani, Prishtinë, e blerë sipas kontratës së shitblerjes me datë 17.08.2023, e që e ka pasur obligim që ta deklaroi në vitin 2024”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Aty përmenden edhe deponimet që kishte bërë, e që sipas Prokurorisë, kishin për qëllim fshehjen e burimit të vërtetë të pasurisë.

“Me qëllim të fshehjes së këtij aktiviteti dhe burimit të vërtetë të pasurisë të hollat parat nga keshi i ka futur në sistemin bankar, ashtu që ka bërë deponime përmes sistemit ATM ku nga viti 2018-2024 i ka deponuar 109.370.00, ndërsa në 2023 51,070.00 euro, si dhe shuma të tjera në vite të ndryshme, ka bërë deponime përmes llogarive bankare të familjarëve, kinse si kursim, huazim apo dhuratë nga personat e tjerë. Një pjesë të huazimeve i ka kthyer në kesh edhe pse i ka marr me transferim bankar”, thuhet në dosje.

Tek të hyrat vjetore Hafizi kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit se motra e tij që jeton jashtë vendit i kishte bërë dhuratë 15 mijë euro cash.

Sa ishte në kërkim e ndodhej në udhëtim zyrtar, Hafizi ishte pyetur nëse banesat e sekuestruara janë të tij, ku e kishte mohuar.

“Absolutisht jo, sepse ato shihen shumë lehtë edhe përmes regjistrave edhe Agjencionit Anti-Korrupsion”, kishte deklaruar Hafizi në RTV Dukagjini.

Çka u sekuestrua në aksionin e Prokurorisë?

Aksioni i Prokurorisë në MMPH u zhvillua të hënën e javës së kaluar.

Gjatë këtij aksioni, hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës kishin arrestuar u.d e Sekretarit të Përgjithshëm në këtë Ministri, Izedin Bytyqin, kurse Hafizi nuk ishte gjetur në banesë.

Bytyqi dyshohet për “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Gjatë bastisjes, Prokuroria kishte thënë se janë sekuestruar revole, fishekë, 34 fletë dokumente të ndryshme, tre telefona, tre llaptopë, katër shtëpiza kompjuteri dhe dokumente të tjera të rëndësisdhme për procedurën hetimore.

 “Gjithashtu është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë”, ishte thënë në njoftimin e Prokurorisë.

Raportimet se me vendim të tij iu shlyen jashtëligshëm borxhet kompanive që merren me ambalazhim të ujit

Emri i Naser Hafizit ishte përmendur shumëherë në raportimet e mediave në prill të këtij viti.

Sipas raportimeve të mediave, Hafizi dhe Ministri Liburn Aliu ua kanë shlyer borxhin në mënyra të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit dhe si rrjedhojë kanë dëmtuar buxhetin e shtetit miliona euro.

Siç kishte raportuar Albanian Post, në rastin e vetëm 5 kompanive të ambalazhuesve të ujit, nga 27 sa janë në total, buxheti i shtetit është dëmtuar për 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove.

Hafizi i kishte quajtur shpifje këto raportime. Ai kishte ushtruar edhe padi ndaj gazetarit dhe mediumit që ka publikuar këto shkrime.

Kishte thënë se nuk ka falje të borxheve në asnjë mënyrë.

“Padia që kam ushtruar sot, përmban mbi 250 faqe prova – materiale që demantojnë secilën nga shpifjet, fabrikimet e falsifikimet e dokumenteve dhe insinuatave të nivelit më të ulët të mundshëm.   Për shkak të tendecave të ulta për denigrimin e personalitetit tim, për çdo shpifje e fyerje të radhës, nga kushdo që bënë në adresën time, do të ushtroj PADI pa hezitim, gjithnjë sipas Ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.

Unë kam besimin e plotë në drejtësinë e Republikës së Kosovës, e për hirë të së VËRTETËS, ftoj organet e drejtësisë, hetuesisë, prokurorisë dhe organet relevante që të hetojnë këtë çështje deri në detaje, në mënyrë të shpejtë, duke mos i dhënë hapësirë “gazetarëve” për të shpifur dhe për të krijuar huti në opinion, pa e kuptuar fare kompleksitetin e kësaj fushe”, kishte shkruar Hafizi. /Gazetaexpress