Rreth 6 mijë zgjedhës me ID të skaduar nuk u lejuan të votojnë në disa qendra votimi në Himarë.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi zhvilloi një mbledhje në KZAZ, ku në fokus është problemi i raportur lidhur me kartat e identifikimit të skaduara.
Gjatë një deklarate për mediat ai u shpreh se problemi i skadimit të mjeteve identifikuese nuk është kompetencë e KQZ.
“Është e vërtetë që janë 6 mijë votues të cilët dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme. Do të duhet të them që e njëjta shifër votuesish ka qenë dhe në zgjedhjet e kaluara. Përse për këto zgjedhje nuk u mor vendim nga qeveria për të zgjatur vlefshmërinë e kartave të identitetit nuk mund ta them.
Nuk kemi pasur një komunimi ditën e sotme se nuk është se do të kishte zgjidhje ditën e sotme. Kjo cështje do të duhej të ishte zgjidhur më parë. Është një cështje që lidhet me interesin e votuesve për të disponuar një dokument identifikimi e më pas autoritetet përgjegjëse shtetërore duhej ti përgjigjeshin interesit. E njëjta gjë qëndron dhe për partitë”, tha ai.
Më tej Celibashi shtoi se procesi në bashkinë e Himarës po shkon mirë, ndonëse ka pasur raste që persona të pautorizuar janë shfaqur në qendra votimi, ndaj të cilëve janë marrë masa.







