Një 23-vjeçar u plagos me armë nga një i ri i cili u arrestua nga forcat e policisë. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 të mëngjesit të 28 Nëntorit, në një lokal në fshatin Kakavec në Prrenjas.

Policia thotë se Afrim Radiçi, 29 vjeç, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta ka plagosur me armë zjarri pistoletë Xh.P., 23 vjeç, banues në Kakavec,  i cili është transportuar në Spitalin e Librazhdit dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Afrim Radiçi  në tentativë për tu larguar nga vendi i ngjarjes  ka dalë në rrugë dhe nën kërcënimin e armës ka  ndaluar automjetin tip “Golf” në pronësi të A.B., të cilin e ka marrë dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Falë reagimit të Policisë Librazhd  u bë  e mundur që rreth 60 kilometra nga vendi i ngjarjes, në fshatin Dorez, të kapej Afrim Radiçi,  autori i dyshuar i dy ngjarjeve, plagosjes me armë të 23-vjeçarit si dhe të rrëmbimit të automjetit nën kërcënimin e armës.

Policia thotë se në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e krimit si dhe automjeti tip “Golf”.

“Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të kësaj ngjarje”, përfundon policia në një njoftim zytar.