Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka emëruar komisionerët e subjekteve politike që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve në 2,477 vendvotime në të gjithë Republikën e Kosovës. Bëhet fjalë për mijëra persona.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Gazeta Blic se numri i anëtarëve të këshillave të vendvotimit që do të angazhohen më 17 tetor është: 13,166 aktiv.

KQZ-ja ka emëruar edhe 1,671 anëtarë të tjerë si rezervë.

Po sipas të dhënave të KQZ-së, ky numër duket se është më i ulët krahasuar me zgjedhjet e para disa muajve që u mbajtën për Kuvendin e Kosovës.

Në zgedhjet e 14 shkurtit ishin emëruar 14,660 komisionerë, ndërsa 2,062 të tjerë si rezervë.

Derisa numri i komisionerëve tashmë është i ditur, KQZ-ja akoma nuk ka përmbyllur procesin e certifikimit të vëzhguesve.

Të dy këto kategorive, KQZ-ja do t’iu kërkojë dëshmi se janë të vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID-19, apo duhet ta kenë me vete ndonjërin nga testet për COVID-19.

Zbatimi i këtyre masave është kërkuar nga KQZ-ja dhe një shkresë e tillë u është përcjellur të gjitha subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Dokument