“Kapja e shtetit” – Izedin Bytyqi kthen në punë “babën e tenderëve”, disa ditë pas u shkarkua

Pasi që dy ditë më parë ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi vendosi që ta rikthej në punë sekretarin që vet e largoi, Izedin Bytyqin, ky i fundit vendimin e parë që e mori sot është rikthimi në punë i Nexhat Krasniqit, personit të dënuar me korrupsion dhe të cilit Gjykata Supreme ia ka vërtetuar dënimin dhe moskthimin në punë.

Nexhat Krasniqi, i cili në publik njihet si “baba i tenderëve” është rikthyer në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës me nënshkrimin e Izedin Bytyqit, sekretarit të përfolur për dallavere dhe për të cilin dyshohet se është i kapur drejtpërdrejt nga Krasniqi dhe grupi i tij.

Në vendin e Bytyqit për kthimin e Krasniqit, që e ka siguruar Ballkani.info, respektivisht në arsyetimin e vendimit, citohen vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikqyrës të Shërbimit Civil, mirëpo aty thuhet se ka paqartësi rreth Aktvendimit të Gjykatës Supreme. Në fakt, Aktvendimi i Supremës është shumë i qartë dhe paraqet shkelje kthimi i Krasniqit në punë.

Ky është vendimi i plotë i sekretarit Izedin Bytyqi:

Të kujtojmë se ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, para disa ditëve kishte liruar nga detyra Sekretarin e Përgjithshëm të MI-së, Izedin Bytyqi, dhe duke emëruar si zëvendësues të Sekretarit, Zymer Avdullahun.

Mirëpo ministri në detyrë i Ministrisë së Infrastrukturës, Arban Abrashi e ka anuluar vendimin e vet duke e vlerësuar se ishte i kundërligjshëm, duke e rikthyer në pozitën e sekretarit Izedin Bytyqin.

Në dokumentin e siguruar nga Ballkani.info thuhet se zbatohet vendimi nr.0045/2021 i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili vendim shfuqizon të gjitha vendimet e mëparshme të Ministrisë së Infrastrukturës.

Ky vendim e komplikon edhe më shumë raportin ndërmjet dy ministrave të LDK-së, atij të Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe Arban Abrashit të Infrastrukturës.

Të kujtojmë se ishte Abrashi ai që ditë më parë mori vendim për largimin nga detyra e sekretarit të MI-së, Izedin Bytyqin dhe emërimin në vend të tij të Zymer Avdullahut.

Me të marrë detyrën, Avdullahu e largoi nga puna Nexhat Krasniqin, e njohur si “baba i tendërve” dhe person i dënuar për korrupsion.

Mirëpo, ishte Agim Veliu ai që ndërhyri, duke e hedhur poshtë vendimin e Arban Abrashit, ku kërkonte rikthimin në vendin e punës të Izedin Bytyqit.

Ky vendim pati shkaktuar edhe përplasje në MI, pasi që Bytyqi dhe Avdullahu u përplasën se kush duhet të jetë në zyrën e sekretarit të përgjithshëm. Kjo bëri që të ndërhyjë edhe policia.

Kujtojmë që në vitin 2019, Nexhat Krasniqi ishte dënuar burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Atij i është shqiptuar dënim unik prej 26 muajsh burgim për korrupsion.

Nexhat Krasniqi, njëri nga ish-zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ngarkohej edhe për marrje ryshfeti dhe hyrje në nënshkrimin e kontratave të dëmshme.

Kurse, më 4 dhjetor 2020, ashtu siç kishte raportuar Ballkani.info Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil pas ankesës së Nexhat Krasniqit, e kishte rikthyer në punë atë.

Në anën tjetër, Gjykata Supreme kishte thënë se Nexhat Krasniqi nuk mund të kthehet në punë.

Ballkani.info kishte kërkuar sqarime nga Gjykata Supreme pas vendimit të KPMSHCK-së për kthimin në unë të Krasniqit.

Në përgjigjet dërguar në adresë të portalit tonë, Gjykata Supreme bënte të ditur se kjo Gjykatë nuk është në në dijeni të Vendimit të KPMSHC për kthimin në punë të N.K., pasi që kjo Gjykatë me Aktvendimin CML.nr.12/2019 datë 18.11.2019 duke vendosur lidhur me Kërkesën e Prokurorit të Shtetit për Mbrojtje të Ligjshmërisë KMLC.nr.138/2019 datë 22.8.2019 ka lënë jashtë fuqie aktvendimin e KPMSHC në Kosovë nr.6897 datë 16.11.2018 mbi pezullimin e zbatimit të vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës nr. protokollit 10641 datë 12.11.2018 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës N.K.

“Kjo, pasi që njëzet e pesë ditë pas nxjerrjes së këtij vendimi/aktvendimi të KPMSHCK,  nr.6897 datë 16.11.2018, KPMSHC kishte nxjerrë aktvendimin përfundimtar lidhur me ankesën e N.K., me të cilin vendim hedhet poshtë si e pa lejuar ankesa e parashtruesit N.K., me arsyetim se i njëjti fillimisht nuk i ka shterrur burimet e brendshme të ankimimit duke paraqitur ankesë në Komisionin për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Ministrinë e lartëpërmendur. Pas nxjerrjes së këtij vendimi të dytë të KPMSHC në Kosovë, N.K., kundër vendimit të lartëpërmendur për ndërprerjen e marrëdhënies së punës  nr. protokollit 10641 datë 12.11.2018 ka paraqitur ankesë në Komisionin e lartëpërmendur për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Ministrinë e Infrastruktures, i cili Komision me vendimin nr.01-888 datë 29.01.20219 refuzon si të pabazuar një ankesë të tillë të N.K., dhe lë në fuqi vendimin për ndërprerje të marrëdhënies së punës.  Më tutje, me ecurinë e procedurës në këtë çështje juridike, Gjykata Supreme nuk ka njohuri”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.

Në pyetjen se a mundet KPMSHC-ja të merr vendim për kthimin në punë të personit të cilit me aktvendim të Gjykatës Supreme i është konfirmuar shkelja dhe është vërtetuar vendimi i Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Infrastrukturës, në situatën e përshkruar në përgjigje të pyetjes së parë, Gjykata Supreme në përgjigjet dërguar sot Ballkani.info thotë kështu: “Nuk ka mundësi që KPMSHC në Kosovë të merr vendim tjetër për kthim të N.K. në punë”. /Ballkani.info/