Çfarë po “kurdis” Nexhat Krasniqi me sekretarin e Agim Veliut dhe mikun e djalit të Isa Mustafës?

Dje ka qenë ditë ngarkimesh e shkarkimesh në Ministrinë e Infrastrukturës. Vetëm pa orë pasi u emërua sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Insfrastrukturës, Zymber Abdullahu e shfuqizoi vendimin për kthimin në punë të shefit të prokurimit në këtë ministri, Nexhat Krasniqi.

Ballkani.info e publikoi dje vendimin për largimin e Nexhat Krasniqit nga puna, i njohur ndryshe edhe si “baba i tenderëve”.

“Shfuqziohet vendimi nr 01.1679 datë 26,02 2021 me të cilat vendime Nexhat Krasniqi është kthyer në pozitën Udhëheqës i Divizionit të Prokurimit në kuadër të DFSHP.  Shfuqizohet vendimi nr 01.10242 ,e datë 22.12,2020 për kthimin në punë të Nexhat Krasniqi”, thuhej në vendim.

“z.Nexhat Krasniqi i sistemuar në pozitën e Udhëheqësit të Prokurimit i ndërpritet marrëdhënia e punës në shërbimin civil në Ministrinë e Infrastrukturës për shkak të detyrimit ligjor të zbatimit të Vendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës CML.nr.12/2019 të datës 18.11.2019”, thuhej tutje në vendim.

Mirëpo, vetëm pak orë pasi mori vendimin për largim nga MI-ja, Nexhat Krasniqi është parë në shoqërinë e dy personave të fuqishëm të LDK-së, respektivisht me sekretarin e ministrisë që e drejton Agim Veliu, Lulzim Ejupi dhe biznesmenin Valon Ademi.

Sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Lulzim Ejupi njihet për shoqërinë që ka me Valon Ademin dhe djalin e Isa Mustafës, Besnikun.

Vitin e kaluar, Betim Reçica, ish sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës, e pati denoncuar në polici për kanosje biznesmenin Valon Ademi.

Përveç denoncimit në polici, Reçica e kishte njoftuar edhe ish kryeministrin Albin Kurti.

“Sot më datën 13/02/2020, në ora 8:11 të mëngjesit kam pranuar një kanosje të drejtpërdrejt përmes telefonit nga Valon Ademi pronar i kompanisë “2 A Group Sh.P.K, ku jam fyer dhe kam pranuar kërcënime me jetë për mua dhe familjen time”, thuhej në letrën që Reçica ia ka dërguar Kurtit, ish ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiut dhe ish drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajt.

Sipas letrës së Reçicës,  zyrtarët e kësaj ministrie kishin pasur edhe më herët problemet të ngjashme.

Ballkani.info aso kohe pati siguruar një fotografi në të cilën përpos Valon Ademit, shihen bashkë edhe djali i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës, Besnik Mustafa dhe sekretari i Punëve të Brendshme, Lulzim Ejupi.

Të kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës pati marrë vendim ta kthejë në punë Nexhat Krasniqin.

Me këtë vendim është anuluar vendimi 888 i datës 29 janar të vitit 2019 i Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe të ankesave i Ministrisë së Infrastrukturës, si dhe vendimi i U.D. Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe mbetet në fuqi vendimi i datës 2 mars 2018 numër 1925.Sipas këtij vendimi obligohet Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës që ankuesin ta kthejë në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit të Prokurorimit në MI, me të gjitha të drejtat dhe obligimet nga marrëdhënia e punës, duke i kompensuar pagat nga dita e ndërprerjes së marrëdhënies së punës.

Në arsyetimin e vendimit, KPMSHCK-ja theksonte se më datën 15.05.2016 me vendim të formës së prerë Gjykata e Apelit, ankuesin Nexhat Krasniqi e dënon me dënim me kusht. Ministria e Infrastrukturës, gjegjësisht Komisioni Disiplinor me datën 02.02.2017 sipas kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm merr në shqyrtim lëndën ndaj ankuesit Nexhat Krasniqi.

Tutje në arsyetim thuhej se Komisioni Disiplonot duke u bazuar në nenin 63 paragrafi 4 të Ligjit nr 03/L-149 për Shërbimin Civil e ka trajtuar lëndën dhe ka marrë vendim që ankuesit ia kanë ndërprerë marrëdhënien e punës në shërbimin civil në kuadër të MI-së.

Krasniqi ka qenë një kohë të gjatë shef i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (dikur njihej edhe si Ministria e Transportit dhe Postë Telekomit).

Nexhat Krasniqi e kishte humbur betejën në Gjykatën Supreme të Kosovës, me sekretarin e përgjithshëm që ishte ushtrues detyre në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Me vendimin e Gjykatës Supreme në fund të muajit nëntor të vitit 2019, Nexhat Krasniqi ishte larguar përfundimisht nga pozita e tij të udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Kujtojmë që Zymer Abdullahu është zëvendësuesi i Izedin Bytyqit në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës.

Abdullahu ka marrë dje detyrën e sekretarit të MI-së, në po të njëjtën ditë me shkarkimin e Bytyqit, i cili u lirua nga detyra me vendim të ministrit Arban Abrashi.

Bazuar në vendim, Abrashi ka obliguar Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm që pas shkarkimit, Bytyqi të sistemohet në një departament brenda ministrisë.

“Obligohet Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MI-së, që të bëjë sistemimin e z. Bytyqi në pozitën Drejtor I Departamentit në bazë të Rregullores (QRK) nr. 16/2015 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistemimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Infrastrukturës”, thekson pika 2 e vendimit.

Vendimi ka hyrë në fuqi në ditën e nënshkrimit, thotë një pikë tjetër e dokumentit të nënshkruar nga ministri.