Kapet në Maltë shqiptari 36 vjeç, u vodhi rreth 800 mijë € e më pas i dogji të gjallë gjyshe e nip

Një shqiptar i arrestuar në Maltë besohet se ka vrarë dy persona dhe u ka vënë flakën trupave të tyre pasi i ka grabitur 780 mijë euro në Greqi. 36-vjeçari Ledjon Brakaj, u arrestua në Maltë pasi autoritetet greke lëshuan një urdhër-arresti evropian në mars.

Avokatët mbrojtës pretendojnë se policia ka arrestuar njeriun e gabuar, me argumentin se emri i klientit të tyre nuk përputhet me atë në urdhër-arrestin.

36-vjeçari kërkohet në lidhje me një vrasje të dyfishtë të kryer në vitin 2015 në ishullin grek Aegina, e cila tronditi komunitetin e qetë të ishullit.

Irini Marmarino, e cila drejtonte një biznes suvenirësh në Aegina, u gjet e vdekur së bashku me nipin e saj Lambros Protonotarios brenda shtëpisë së saj.

Të dy viktimat ishin torturuar para se të vriteshin. Nga autopsia doli në përfundimin se autori i rrahu aq ashpër dy viktimat, sa u shkaktoi atyre fraktura në të gjithë trupin dhe më pas, ndërsa ata ende po merrnin frymë, u vunë flakën.

Nga hetimet rezultoi se Marmarino kishte tërhequr pak kohë më parë kursimet e saj të jetës, që arrinin në rreth 800 mijë euro, raportojnë mediat greke.

Mbrojtja e 36-vjeçarit

Avokatët mbrojtës të Brakajt hodhën dyshimes e klienti i tyre nuk ishte në të vërtetë personi për të cilin ishte lëshuar urdhër arresti.

“Urdhër-arresti evropian i referohej emrave të ndryshëm”, thanë ata.

Avokatët mbrojtës vunë re gjithashtu se ndërsa oficerët e policisë i kishin marrë shenjat e gishtave Brakajt, ata nuk i kishin paraqitur ato gjurmë në gjykatë si provë.

Megjithëse mbrojtja kundërshtoi çështjen e identitetit, gjykata, e kryesuar nga magjistrati Noel Bartolo, deklaroi se çështja do të vazhdonte.

Brakaj nuk ka paraqitur kërkesë për lirim me kusht dhe ka heshtur gjatë gjithë seancës. Seanca vijon javën e ardhshme.